Abdixhiku pas lirimit të tre policëve: Falenderojmë miqtë ndërkombëtarë, të dënohet agresioni luftënxitës i Serbisë - NACIONALE

Abdixhiku pas lirimit të tre policëve: Falenderojmë miqtë ndërkombëtarë, të dënohet agresioni luftënxitës i Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë një mesazh pas lirimit të tre policëve kosovarë nga ana e Serbisë.

Abdixhiku përmes një komunikate për medie të shpërndarë nga partia që drejton, ka thënë se e mirëpret lajmin për lirimin e tre policëve të kidnapuar nga forcat serbe.

Kreu i kësaj partie opozitare e ka quajtur agresion luftënxitës kidnapimin e policëve, ashtu siç ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Abdixhiku megjithatë ka falenderuar partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, veçanërisht ShBA-të.

“Sot, falënderojmë të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, që në vazhdimësi kanë dënuar aktin e Serbisë, sikurse dhe kanë shtuar presionin për lirimin e menjëhershëm të tyre.” – shkruan z. Abdixhiku në mesazhin e tij.

Më tej, kreu i partisë më të vjetër parlamentare në vend ka kërkuar që sjelljet agresive të Serbisë të dënohet nga komuniteti ndërkombëtar, por në anën tjetër ka vlerësuar që “koordinimi i veprimeve të institucioneve të Kosovës me aleatët tanë është domosdoshmëri.”

Duhet kujtuar se Departamenti Amerikan i Shtetit kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa asnjë kusht të policëve të Kosovës të rrëmbyer në veri më 14 qershor. Të njëjtën kërkesë e kishte pasur edhe Bashkimi Evropian.

Policët Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shem Mustafa u liruan sot megjithëse Serbia ngriti aktakuzë ndaj tyre.

Për lirimin e tyre ende nuk ka ndonjë reagim ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti, ngjashëm si kreu i LDK-së, përveç që i është gëzuar këtij lajmi ka kërkuar edhe që të dënohet agresioni i Serbisë.

Meritat për lirimin e policëve është përpjekur që t'i marrë shteti hungarez. Kryeministri i këtij vendi para disa ditëve në një takim me Vuçiqin, i kishte thënë atij që të liroheshin policët e Kosovës.

Sidoqoftë, besohet gjerësisht se ishin pikërisht kërkesat nga ShBA dhe BE që mund të kenë pasur ndikimin më të madh në lirimin e policëve.

Lajme të ngjashme