Abdixhiku me lëvdata për drejtoreshën e Arsimit, por thumbon pak pushtetin: Nuk e kaloi verën në Ujman
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me mësimin gjithëditor në Komunën e Prishtinës.
Mes një postimi të gjatë, Abdixhiku ka thurur lëvdata për drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ai duke ironizuar pushtetin ka thënë se “Jehona nuk kaloj verën në vëzhgim të kërcimeve dallëndyshe në Ujman.”
“Ajo zhvilloj konsultime me prindër. Bashkoj mësimdhënësit. Kontraktoj renovues, inspektoj çdo ditë kuzhinat e reja ku do të shërbehej ushqim cilësor për fëmijë. Jehona kaloj një verë të tërë në përgatitje për shtator. Sot, erdh dhe më tha: ‘Reforma u bë!’.” – ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se përmes programit politik “Rruga e Re”, ky model do të adoptohet në tërë Kosovën.
“Vitin e ardhshëm do të shtohen dhe po aq shkolla të tjera. E në programin tonë politik ‘Rruga e Re’, ky model do të adoptohet në tërë Kosovën. Sepse e pamundur nuk është asgjë. Sepse njerëzit e mirë e të zot, në vende e rrethana të duhura, bëjnë punë të mëdha. Aso që përcaktojnë fatin e breznive të tjera, aso që lehtësojnë jetën e familjeve kosovare, aso që bëjnë ndryshime të mëdha.” – ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.