Abdixhiku lë të kuptohet se LDK mund të ketë votë për Vjosa Osmanin, “por emri i saj s’është prezent” - NACIONALE

Abdixhiku lë të kuptohet se LDK mund të ketë votë për Vjosa Osmanin, “por emri i saj s’është prezent”

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas përfundimit të takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pyetur nga gazetarët la të hapur mundësinë e mbështetjes për Vjosa Osmani, por theksoi se aktualisht “nuk është prezent një emër i tillë”.

“Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Vjosa Osmanit. Nuk është kërkuar vota për Vjosa Osmanin, prandaj s’mund të flas”, deklaroi Abdixhiku.

Ai sqaroi se LDK-ja nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për nënshkrime.

“Ne nuk kemi pasur refuzim asnjëherë. Por askush s’ka ardhur me 15 nënshkrime që t’i kërkojë edhe 15 të LDK-së”, tha ai.

Sipas tij, kandidati për president duhet të jetë produkt konsensusi dhe jo gare partiake.

“Për garë LDK nuk beson se ka zgjidhje. Është procedurë e parapërcaktuar për të dështuar. Konsensusi bën president. Presidenti s’duhet të jetë vazhdimësi e qeverisë, por kundërbalancë”, u shpreh Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se pas takimit me kryeministrin Albin Kurti nuk ka marrëveshje politike dhe se priten ditët në vijim për qartësi.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shmangu përgjigjen direkte mbi mungesën e një propozimi formal për Osmanin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Procesi i zgjedhjes së tij apo saj duhet të reflektojë përgjegjësi, maturi dhe frymë bashkëpunimi. Nuk është koha as për përplasje, as për kërkesa të parealizueshme”, deklaroi Haxhiu.

Ajo konfirmoi se Vetëvendosje nuk ka një emër të përveçëm, përtej atyre që janë përmendur publikisht nga Kurti, konkretisht Murat Jashari.

Haxhiu i bëri thirrje opozitës të mos bllokojë procesin.

“Bllokadat nuk prodhojnë asnjë të mirë, as interesin tonë si shtet. Është e rëndësishme t’i kemi 80 vota në dy raundet e para”, tha ajo.

Sipas saj, aktgjykimi përkatës kërkon që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë.

“Kërkesa për 80 vota në kuti lidhet me detyrimin e deputetëve për të votuar”, theksoi Haxhiu.

Para takimit me Abdixhikun në ndërtesën e Kuvendit, kryeministri Kurti dha një deklaratë të shkurtër për mediat.

“Po i vazhdojmë përpjekjet për të përmbyllur me sukses edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit. Na duhet kandidati apo kandidatja që siguron 80 vota në sallë”, tha Kurti.

Ai nënvizoi se takimet me krerët e partive janë në funksion të këtij qëllimi.

“Pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, po takohemi edhe me kryetarin e LDK-së. Gjithçka brenda fare pak ditësh do të merret vesh”, deklaroi Kurti.

Lajme të ngjashme