Abdixhiku: Kosova ka humbur mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale, popullistët na dhanë një pa njohje - NACIONALE

Abdixhiku: Kosova ka humbur mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale, popullistët na dhanë një pa njohje

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vizituar qytetin e Podujevës për të shënuar 33 vjetorin e themelimit të degës së LDK-së në këtë qytet. Në fjalën e tij, ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për "humbjen e një momenti historik për marrëveshje finale dhe me njohje në qendër të Kosovës".

Kreu i LDK-së ka thënë se, në vend të kësaj, ata na dhanë një marrëveshje pa njohje dhe jo finale, me Asociacionin në të. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë tani, është e pariparueshme, tha ai.

“Në vend të kësaj, popullistët na dhanë një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të. Mashtruan gjatë, zhbënë secilin qëndrim dhe përfunduan në rezultat edhe më të rëndë se secila gjendje paraprakisht. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë tani, është e pariparueshme më.” - ka pohuar Abdixhiku.

Abdixhiku gjithashtu theksoi se shteti i Kosovës sot është para zgjedhjeve të vështira si rezultat i politikës së pamatur të Qeverisë së Kosovës. Refuzimi i koordinimit me kohë, mosprioritetizimi i dialogut si interes kombëtar, moskuptimi i rrethanave politike në kontinentin dhe më gjerë, si dhe rënia në grackën e Serbisë rreth destabilizimit në veri të vendit, janë shkaqe kryesore të kësaj gjendjeje, theksoi ai.

“Për shkak të refuzimit të koordinimit me kohë, për shkak të mosprioretizimit të dialogut si interes nacional, për shkak të moskuptimit të rrethanave politike në kontinent e më gjerë, dhe për shkak të rënies në grackën e Serbisë rreth destabilitetit në veri të vendit, Kosova ka humbur një mundësi të madhe historike; atë të arritjes së një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen në qendër në të.” - ka theksuar kreu i LDK-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar qeverinë e Kosovës pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan mbrëmë për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së Normalizimit në Prishtinë.

Kujtojmë se pas një takimi gati dymbëdhjetë orësh në Ohër të shtunën, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një aneks zbatues të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty thuhet se Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga marrëveshja, kjo aneks ose marrëveshjet e kaluara të dialogut mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Lajme të ngjashme