Abdixhiku e quan "rrugë identitare rugoviste" platformën e re të LDK-së, e vlerëson si "të domosdoshme" për Kosovën - NACIONALE

Abdixhiku e quan "rrugë identitare rugoviste" platformën e re të LDK-së, e vlerëson si "të domosdoshme" për Kosovën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë një kohë ka nisur programin e saj politik, që për kreun e kësaj partie, Lumir Abdixhiku është “rrugë identitare rugoviste. ‘Rruga e Re’ sipas Abdixhikut është rrugë për Kosovën, e domosdoshme, pasiqë sjellë zgjidhje konkrete për problemet në Kosovë.

I ftuar në “Konfront” të KTV-së, Abdixhiku është shprehur se ‘Rruga e Re’ është e domosdoshme për Kosovën.

“’Rruga e Re’’ është rrugë për Kosovën, e domosdoshme. Është rrugë identitare rugoviste. Duhet ta kuptoni konceptin e programit që kemi. Pas zgjedhjeve qendrore, kam qenë politikani i vetëm që kam dalë dhe fol me qytetarë. Kam bërë takime në 30 qytete, në bashkëbisedim të hapur. Pastaj kemi zhvilluar takime me mediat, shoqërinë civile e ekspertë, ligjërues diplomat dhe sektorin privat. Kemi dalë me një program konkret i cili gjatë muajit nëntor do të bëhet publik gjatë konventës sonë programore.” – ka thënë Abdixhiku.

Në emisionin Konfront në KTV, i pari i LDK-së ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku është shprehur se nuk duhet të flasim për të kaluarën sepse nuk e ndryshojmë dot, kështu duke e shpejtugur se pse nuk duhet të flasim për 2013, por për 2030, në aspektin e dialogut Prishtinë – Beograd.

“Arsyeja pse nuk duhet të flasim për të kaluarën është se nuk e ndryshon dot. Mund të flasim si historian apo analist.” – ka thënë ai.

Abdixhiku ndër të tjera ka shtuar se “rruga e vetme e Kosovës në temën e dialogut, është të flasim konkretisht”.

“Një gjë besoj që obligimi ndërkombëtar mbetët i tillë dhe i pandryshueshëm dhe nuk po shoh që ka interesim prej forcave kryesore euroatlantike që te ndryshojë as për së afërmi konceptin e obligimit ndërkombëtar të Kosovës. Rruga jonë e vetme është që të flasim konkretisht se si duket ky obligim ndërkombëtar.” – ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa sa i përket, Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Abdixhiku ka thënë se është i pandryshueshëm obligimi për formimin dhe sipas tij për këtë duhet një model “made in Kosova”.

“Mund të provohem gabim, por aq sa ka histori të rendit botëror është se obligimi ndërkombëtar mbetet i tillë. S’po shoh interes të forcave kryesore që të ndryshojë as për së afërmi koncepti i obligimit ndërkombëtar. Meqenëse është i pandryshueshëm, është i obligueshëm për ne, dhe s’ka amnistim për këtë faturë. Rruga jonë e vetme është se si do të dukej ky obligim në terma praktikë.” - ka thënë Abdixhiku,

Ndër të tjera i pari i LDK-së ka thënë se “kjo është brenga ime më e madhe që e flas me ndërkombëtarët. Nuk kam dëgjuar debat shoqëror se si do të dukej një trup pa kompetenca ekzekutive, brenda Kushtetutës e që nuk cenon rendin dy nivelesh të organizimit shtetëror të Kosovës”.

I pari i LDK-së gjithashtu ka folur edhe për sulmin terrorist që ka ndodhur më 24 shtetor në veri të Kosovës, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

Abdixhiku ka thënë se “si duket edhe pas provokimeve të Serbisë, presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës nuk po ç’bëhet” dhe sipas tij çështja e përballjes me Serbinë për Kosovën nuk është e re asnjëherë.

“Kjo çështje s’është e re asnjëherë. Këtë herë ka përmasa të sigurisë në formë të terrorizmit sepse faktet tani janë të qarta, Kosova s’ka strehuar terroristë dhe mbi të gjitha është e qartë me gjithë sasinë e armatimit që kemi një sulm të orkestruar. Në një përballje të tillë është e rëndësishme që Kosova të tregohet e matur dhe e vendosur.” - ka thënë Abdixhiku.

Ai tutje ka shtuar se Policia e Kosovës e ka fituar betejën në terren, ndërsa tani koha është e diplomacisë.

“Kam deklaruar se djemtë e vajzat tona e kanë fituar betejën në teren, tani është koha e diplomacisë të tregon veten.” - ka thënë Abdixhiku.

Lajme të ngjashme