A u bë Kurti 'paçavër' pasi takoi Nihatin e Ahmetin?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje e zhvilloi një takim mjaft interesant. Nuk po themi të rëndësishëm. Po themi interesant. Ai u takua me dy drejtuesit e kompanive turke që e kishin blerë KEK-un. E për të cilët... mos pyetni çka kishte thënë!
Nihat Ozdemir nuk është drejtues i thjeshtë i Limakut. Ai është në fakt themelues i saj. Njëjtë edhe Ahmet Çaliku i kompanisë Çalik. Këta dy kishin qenë prapa edhe privatizimit të shumëkritikuar nga Kurti të KEK-ut për 26.3 milionë euro.
Kryeministri i Kosovës, pa folur mbi deklaratat e tij të mëparshme, pa u skuqur, ua kishte theksuar rëndësinë “e investimeve të huaja në përmirësimin e këtyre sektorëve.” Zyra e Kryeministrit tha se ky takim ishte karakterizuar “me frymë bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.” Pra, frymë bashkëpunimi me Çalikun e me Limakun. Për më tepër, Kurti edhe u zotua që të krijonte kushte të favorshme për investitorët e huaj. Pra, për këta të huaj që dikur i merrte si njerëz që i kishin në dorë liderët e shtetit.
Por, tash dalim te ajo që duhej ta bënte kryeministrin e Kosovës të skuqej.
“Kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj janë paçavra n’duar t’huaja.” – thoshte ai në seancën e Kuvendit të Kosovës si opozitar më 5 korrik të vitit 2012.
I kishte kaluar gilinderat pasi kishte bërë protestë kundër shitjes së KEK-ut te Çaliku e Limaku. Te kompanitë e themeluara nga Nihati e Ahmeti që i takoi dje.
Pra, ishin paçavra në duar të huaja. E këto duar ishin ato të Nihatit e të Ahmetit, duar që i shtrëngoi dje. Për më keq, Albin Kurti në atë seancë i shihte këta investitorë si skllavopronarë që s’i kishin blerë veç asetet por edhe njerëzit që punonin në KEK.
Situata prej 2012-s është përmbysur. Kurti takon korporatistët ndërkohë që nuk iu plotëson kushtet punëtorëve. E dini tashmë se si e bullizonte Rrahman Jasharajn, kryesindikalistin e punëtorëve të arsimit. E dini se si i nënshtroi thuajse të gjitha sindikatat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve. Por, protesta kishin mbajtur edhe hiç më pak se punëtorët e KEK-ut. Ndaj kujt? Ndaj tij. Ndaj po këtij personi që besonte se po i mbronte edhe nga Çaliku e Limaku që i takoi dje.
Ata kishin treguar për ekipin e Nacionales në një prej protestave ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti që u mbajt në muajin mars se për shujtë ushqimore merrnin vetëm nga 1 euro e 75 centë. Merreni me mend.
Për ta bërë të prekshme këtë gjë për të gjithë ju, më poshtë po e paraqesim atë që na kishin thënë disa prej punëtorëve të KEK-ut që ta kuptoni edhe më mirë kontrastin mes Albinit opozitar dhe Albinit në pushtet.
“Pluhën, kushte jo, s’ki masa mbrojtëse për pluhën, s’ki dorëza t’punës, s’ki, sen s’ki. Qysh me ia dalë kështu? Qysh ia kanë qitë këta nuk e di terezinë. Veç qishtu mirë jo.”
Dhe tjetra:
”Kurrgjo vallahin (nuk blej me 1 euro 75 centë për shujtë). Ni sallam t’prishtë që i ka kalu afati edhe ni copë bukë. Kurrgjo. Tmerr osht, a po merr vesh tmerr osht. E kanë pru KEK-un tmerr... N’çfarë kushte prodhohet rryma, njerëzit nuk e dinë, osht shumë vështirësi e rrezikojnë jetën. Tani jon metë numër të vogël. Shumë t’vogël jon metë...”
Por, kryeministri duket se preferon që më shumë të kujdeset për Çalikun e Limakun që e shante dikur se sa për punëtorët që bëhej sikur i mbronte dikur. E dhimbshme. S’kam koment tjetër.

