A na e kishte konfirmuar Gërvalla para Kurtit se Asociacioni është kusht për në KiE? - NACIONALE

A na e kishte konfirmuar Gërvalla para Kurtit se Asociacioni është kusht për në KiE?

2 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Derisa kryeministri Albin Kurti po njoftonte se kanë marrë një kusht të ri për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e të cilin s’e kanë pranuar, karriga në anën e majtë të tij gjatë mbledhjes së Qeverisë po qëndronte e zbrazur. Aty zakonisht ulet kryediplomatja Donika Gërvalla. Megjithatë, ministrja e Punëve të Jashtme nuk ka reaguar për kushtin që mund ta lë Kosovën jashtë KiE-së edhe këtë herë, por diçka goxha interesante, kishte thënë para pak ditësh.

Në një fjalim gjatë paraqitjes së saj të fundit në Kuvendin e Kosovës, Gërvalla s’kishte lënë kë pa falenderuar. Madje, i kishte përmendur me emra edhe kundërshtarët e saj politikë nga opozita.

Megjithatë, një fjali e Gërvalles ia kishte tërhequr vëmendjen Nacionales, derisa po përcillnim këtë seancë. Ajo e kishte lënë të hapur mundësinë që Kosova mos të anëtarësohet në KiE, pavarësisht votimit pozitiv në Asamblenë Parlamentare.

“Mbetet ende punë për të bërë, ndoshta deri në maj, por ndoshta edhe në një moment tjetër, e rëndësishme është që vota prej 82 për qind është konfirmim i fuqishëm që Kosova është një shtet me demokraci të konsoliduar.” – ishte shprehur Gërvalla.

Kosova jashtë agjendës, aktualisht

Më 16 prill, Kosova mori 131 vota për dhe 29 kundër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në votimin për anëtarësimin në këtë organizatë.

Tash, kur është topi te takimi i 17 majit të Komitetit të Ministrave, Kosova ende nuk është vendosur në agjendë.

Nacionale i është drejtuar me pyetje Këshillit të Evropës, pasi Qeveria e Kosovës njoftoi se nuk do ta pranojë kushtin për themelimin e Asociacionit që vendi të anëtarësohet në këtë organizatë.

“Në këtë pikë, Kosova nuk është në agjendë të takimit të Komitetit të Ministrave.” na thanë nga shërbimi i shtypit në Këshillin e Evropës.

Ndërkohë, nuk dihet ende nëse do të vendoset në agjendë, derisa KiE do të njoftojë për të gjitha zhvillimet.

Ndryshe, Kurti e konfirmoi se ekziston një kusht i tillë gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur të mërkurën:

“Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut, demorkacisë dhe sundimit të ligjit, këto javë u përballëm me kusht të ri që s’ka të bëjë aspak me standradet e anëtarësimit në këtë organizatë”.

Në lidhje me shtetet aleate, këtu duke përfshirë edhe Gjermaninë e Italinë që kanë të njëjtin kusht si Franca, Kurti para ministrave të tij deklaroi:

“Pengesat për anëtarësim i mendonim nga shtete që s’e njohin Kosovën, por assesi e asnjëherë s’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim”.

Lajme të ngjashme