A jetojnë serbët në Kosovë "shumë më mirë" se serbët në Serbi, siç tha Kurti? - NACIONALE

A jetojnë serbët në Kosovë "shumë më mirë" se serbët në Serbi, siç tha Kurti?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pretenduar që serbët në Kosovë jetojnë “shumë më mirë” se sa serbët në Serbi. Si e shohin një deklaratë të tillë vetë serbët kosovarë të informuar për zhvillimet politike në Kosovë?

“Në veri të Kosovës kemi ditë të qeta dhe të mira kur nuk ka urdhër nga Beogradi për dhunë. Nga ana tjetër, në Serbi, në ekranet televizive, në reality show, e më pas në shkolla e rrugë, keni shumë dhunë dhe vrasje. Serbët në Kosovë jetojnë shumë më mirë se serbët në Serbi.” – i tha Kurti gazetës Veçernji List para pak ditësh.

Për të marrë një qëndrim në lidhje me këtë deklaratë e pyetëm politologun serb Ognjen Gogiq.

“Nuk do të pajtohesha me atë deklaratë,” – na tha fillimisht ai.

“Së pari, unë mendoj që nuk është e lehtë të jesh pakicë kudo në Ballkan. Të gjitha këto shtete janë etnocentrike në thelb dhe pakicat ndihen të përjashtuara dhe margjinalizuara nga jeta shoqërore.” – argumentoi tutje politologu.

Ai tutje i përmendi gazetës problematikën e emigracionit të serbëve. Shumë e shumë serbë – siç ka vënë re edhe zyrtarja serbe në Qeverinë e Kosovës, znj. Rada Trajkoviq – po largohen nga vendi ynë.

“Edhe ata që zgjodhën të rrinin në Kosovë po shikojnë mundësitë për t’i shpërngulur fëmijët e tyre për në Serbi bile edhe gjatë kohës së shkollimit.”

Por, pse mendon se gjërat janë kështu siç janë dhe kryeministri Kurti e ka gabim?

“Puna është se serbët në Kosovë nuk e kanë as sensin bazë të sigurisë dhe stabilitetit.” – thotë në përgjigjen e tij Gogiqi. “Nuk kanë as ide të stabilitetit.” – vazhdon ai. “Ndihesh sikur gjërat mund të kthehen përmbys brenda natës. I gjithë rendi i gjërave duket i improvizuar e i përkohshëm. Prandaj, ndiheni sikur nuk mund ta planifikoni jetën tuaj këtu. Asnjë plan që mund ta bëni nuk duket i mundshëm.”

Ai përmend pashmangshëm edhe situatën socio-ekonomike të serbëve të vendit, duke treguar varësinë e madhe që ata kanë nga Serbia.

“Çështja tjetër që e lëndon jetën e serbëve në Kosovë është edhe situata e rëndë socio-ekonomike. Komuniteti serb në përgjithësi jeton prej subvencioneve që merr nga Serbia. Nuk ka mundësi punësimi për të rinjtë, nuk ka njerëz të arsimuar e mirë të kualifikuar. Ekonomia brenda vendbanimeve serbe në Kosovë është e dobët, dhe serbët nuk kanë qasje në tregun e gjerë të punës në Kosovë për arsye të ndryshme. Prandaj, edhe vendosin për t’u larguar. Serbët ende mbështeten në shërbimet e arsimimit dhe shëndetësisë që i ofron Serbia. Dhe ato janë të cilësisë së dobët. E gjithë kjo, na e paraqet një tablo të zymtë të kushteve të jetesës.”

Në anën tjetër, në lidhje me këtë çështje pasi u kontaktua nga Nacionale, politikani i ri serb dhe kundërshtari i madh i Listës Serbe, Aleksandër Arsenijeviq, edhe u tall me këto fjalë të Kurtit në një postim në Twitter:

“Mund të pretendoja që shqiptarët në Kosovë jetojnë më mirë se shqiptarët në Zvicër, por kjo s’është e vërtetë. Qytetarët tanë shqiptarë po presin që të hiqen vizat.” – u shpreh z. Arsenijeviq.

Ai aty argumenton që raportet ndëretnike nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët.

“Deklarata e z. Kurti se forcat speciale policore janë trashëgimtare të UÇK-së shtrojnë frikën mes popullësisë serbe, pasi ai duket i zellshëm që të bëhet komandant i ndonjë njësie çliruese në mënyrë që të kompensojë për biografinë e tij që s’shkëlqen.” – argumentoi Arsenijeviq.

“Na duhet një shoqëri normale, jo çlirimtarë të rinj!” – ka shtuar ai.

Lajme të ngjashme