A i pret burgu dy kosovarët që tentuan t’i bashkohen konfliktit në Ukrainë?
Dy kosovarët, Maliq Behluli dhe Ismet Shala, ditë më parë morën rrugën për në Ukrainë me qëllimin për t’iu bashkuar luftës së ukrainasave kundër pushtimit rus. Në prononcime për media, ata, nga kufiri polako-ukrainas, kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të rreshtohen krahas ushtarëve të Ukrainës në përpjekjen e tyre për të luftuar Rusinë, që Behluli e Shala e quajnë "armik shekullor të përbashkët”.
Ata deklaruan se për të luftuar në Ukrainë janë nisur nga motive humane.
Por, pjesëmarrja e shtetasve të Kosovës në konflikte të huaja është ligjërisht e ndaluar. Një gjë të tillë, Behluli e Shala kanë thënë se nuk e kanë ditur. Megjithatë, Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka mishëruar parimin juridik se mosnjohja e ligjit nuk arsyeton shkeljen e tij.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar Behlulin - që është edhe vëllai i këngëtarës së njohur Shyhrete Behluli - dhe Shalën, për t’i pyetur rreth përpjekjeve të tyre për t’u bashkuar në krahun ukrainas në luftën kundër Rusisë.
Përderisa Behluli nuk ka kthyer përgjige, Shala ka thënë se tashmë kanë angazhuar avokat dhe se i njëjti u ka sugjeruar të mos flasin për këtë çështje.
“Nuk mund të japim informacion”, tha Shala për Nacionale.
Por, çfarë mund të ndodh me Behlulin e Shalën, kurdo që kthehen në Kosovë?
Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, ndalon shprehimisht pjesëmarrjen në konflikte të armatosura, që zhvillohen në territore të huaja.
Ligji ka paraparë dënime të ashpra për këdo që kryen shkelje të këtyre dispozitave. Nëpërmjet këtij akti juridik parashihet dënim me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite për këdo që merr pjesë në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.
Se çfarë i pret Behlulin e Shalën, për këtë Gazeta Nacionale ka kontaktuar avokatin Artan Qerkini, i cili ka thënë se ligji është i qartë për çështjen e pjesëmarrjes së kosovarëve në konfliktet e huaja.
"Ligji për ndalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja është i qartë. Neni 3, paragrafi 3, i këtij ligji parashikon: Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite.”, ka deklaruar për Nacionale, Artan Qerkini .
I pyetur nëse dy kosovarët kanë kryer vepër penale, ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të trajtohet nga organet e hetuesisë, duke shtuar se ata janë të vetmit që kanë qasje në prova gjatë fazës së hetimeve.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresë të Prokurorit të Shtetit për të pyetur nëse kanë filluar hetimet kundër Shalës e Behlulit. Por, deri në botimin e këtij shkrimi, nga Prokuroria nuk kanë kthyer përgjigje.
Kujtojmë që lufta në Ukrainë ka javë që ka filluar, pasi Rusia filloi agresionin kundër ish-republikës sovjetike. Deri më tani ka qindra të vrarë e mbi një milion të zhvendosur.