A është përmirësuar raporti Vjosa Osmani-Opozita? Nga PDK e AAK shprehen ashpër - NACIONALE

A është përmirësuar raporti Vjosa Osmani-Opozita? Nga PDK e AAK shprehen ashpër

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani sot motmot mori pozitën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Në atë kohë, partitë opozitare ishin kundërshtuese të rrepta të saj, por pas një viti raporti Osmani-opozita duket më i relaksuar pasi që më rallë dëgjojmë deklarata kundër saj.

Në kohën kur u votua Vjosa Osmani si presidente e vendit, Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], madje nuk kishin marrë pjesë fare në seancë.

Atëkohë ish-udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj, para se partia e tij ta lëshojë seancën, kishte thënë se "kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e emëron Vjosa Osmanin në pozitën e Presidentes për të pasur kontroll absolut mbi institucione të rëndësishme” duke shtuar se edhe Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pati thënë se partia e tij është "kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit.”

Në anë tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] e votoi Vjosa Osmanin për presidente, përveç dy deputëtve të saj, Agim Veliut dhe Driton Selmanajt, të cilët megjithatë ia kishin bërë kuorumin.

Tash kur janë bërë 365 ditë nga ajo ditë, nga PDK e AAK, kanë folë për punën e presidentes Osmani ndërsa LDK përsëri ka zgjedhur që ta aminstojë atë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një deklaratë dhënë Nacionales, nuk e ka kursyer Osmanin ashtu siç prisnim.

Ajo ka thënë se për gjatë një viti, Vjosa Osmani ka qenë e pavërejtshme.

Deliu-Kodra ka renditur disa raste kur Osmani zgjedhi të heshtë në vend se të fliste për problemet që ballafaqoheshin qytetarët duke thënë se heshtja është krejt puna çfarë ka bërë Osmani.

“Roli i saj fatkeqësisht gjatë këtij viti ka qenë i pavërejtshëm dhe i papërfillshem dhe ky nuk është vlerësim vetëm i yni por është rruga që ajo e ka zgjedhë. Ajo heshti përballë humbjeve të dhjetëra jetëve nga pandemia në verën e vitit të shkuar. Ajo heshti për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe po hesht në mënyrë të pashpjegueshme për këtë gjendje jashtëzakonisht të rënduar të qytetarëve të Kosovës pas ngritjes së çmimeve të produkteve për jetesë. Prandaj heshtja e saj për këtë vit flet më shumë se kushdo tjetër për punën dhe angazhimin e saj”, ka thënë Deliu- Kodra.

Ndërsa edhe nga AAK-ja, përmes gazetës Nacionale folën për punën njëvjeçare të Vjosa Osmanit si presidente.

Deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj, në fillim të bisedës theksoi se Osmani erdhi në atë pozitë me ‘pazare të votave’ dhe ‘duke blerë deputetë’.

Kadrijaj po ashtu, ka akuzuar Osmanin për qasje selektive ndaj partive të tjera, duke thënë se ka përkrahur vetëm politika ‘diskriminues të Qeverisë’.

“Vjosa Osmani erdhi në këtë pozitë me pazare të votave, duke blerë deputetët. Ato ditë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ishin në gjah për t'i siguruar votat e nevojshme, ky aksion i rezultoi me sukses. Presidentja përfaqeson unitetin e vendit kurse ne nuk kemi parë deri më tash se e ka luajtur këtë rol që i takon, sepse në vazhdimësi ka përkrahur politikat diskriminuese të Qeverisë”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ia ka përmendur edhe sulmet e Osmanit dhe bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut ndaj mediave si dhe të ndryshojë qasjen e saj.

“Sikuse ne rastet e presioneve të vazhdueshme të gazetarëve, asnjëherë nuk kemi parë. Shpresojmë që në vazhdim të mandatit, presidentja të reflektojë, të mos sillet si figurë një partiake”, shtoi ajo.

“Fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe më shumë ka luajtur rolin e përfaqësueses së partisë në pushtet se sa të një presidenteje që krijon ura bashkëpunimi mes palëve”, ka thënë ndër të tjera deputetja e AAK-së.

Ne gjithashtu kemi provuar të marrim një qëndrim edhe të LDK-së, mirëpo deputetët dhe zyrtarët që kemi kontaktuar nuk kanë qenë të qasshësm dhe nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e shkrimit.

Kujtojmë që Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës, me 71 vota për.

Për zgjedhjen e presidentes u zhvilluan tri raunde votimi. Në dy raundet e para të votimit, Osmani nuk e mori numrin e mjafueshëm prej 2/3 të votave, por në raundin e tretë, në bazë Kushtetutës, nevojiteshin të paktën 61 vota.

Osmani arriti që në raundin e tretë të votimit të sigurojë ulësen e presidentes. Në këtë raund, votuan 82 deputetë, 71 ishin për, ndërsa 11 vota ishin të pavlefshme. E kundërkandidati i saj, Nasuf Bejta, nuk mori asnjë votë të vetme.

Ishin dy deputetë të pakicave joserbe, ata që e siguruan kuorumin mbi 80 deputetë në sallë për t'ia mundësuar Osmanit që në raundin e tretë të zgjidhet Presidente e Kosovës.

Vjosa Osmani është presidentja e dytë grua e zgjedhur në Kosovë, pas Atifete Jahjagës.

Lajme të ngjashme