A e shfrytëzoi Lista Serbe vizitën e Kallasit për t’u viktimizuar me maturantët serbë?
Politikanë e medie serbe nga veriu kanë vërshuar me reagime pas një përplasje të lehtë midis disa maturantëve serbë dhe Policisë së Kosovës.
Pasditen e sotme, politikani serb Aleksandar Arsenijeviq ka afishuar në profilin e tij në 'Facebook' një video për të cilën ka thënë se maturantët serbë teksa po ecnin në shëtitoren në veri të Mitrovicës janë provokuar nga "turistë nacionalistë" në kafenetë shqiptare.
Por, videoja e afishuar prej tij paraqet vetëm dhjetra maturantë që valëvisin flamurin serb dhe një person nga një kafene që bën shqiponjen me dy duar.
“Në vend të mbrojtjes së fëmijëve tanë, policia mësyu ndaj një grupi maturantësh, arrestoi dhe e kapi për fyti njërin prej tyre – një i ri i cili donte si të gjithë moshatarët e tij në botë të kremtonte diplomimin. Ne e dënojmë fuqishëm këtë sjellje dhe dhunë institucionale ndaj fëmijëve serbë”, ka shkruar Arsenijeviq.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryetarit të Listës Serbe, Ivan Zaporozhac, sipas të cilit i riu serb është abuzuar fizikisht dhe fyer me fjalë për shkak të etnisë së tij.
“Në vend se ta kujtojë fundin e shkollimit me kujtime të bukura, ky djalosh i ri do ta kujtojë atë me dhunën që e përjetoi nga policia për shkak se ai është serb”, ka thënë Zaporozhac.
Reagim të ngjashëm ka bërë edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se kapja për fyti e maturanti është një imazh që duhet ta shohë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.
“Policia e Kurtit e kapi një fëmijë serb për fyti në një zonë shëtitoreje në very të Mitrocicës teksa ai po kremtonte diplomimin. Ky është realiteti në terren - diçka që Kaja Kallas duhet ta shohë. Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte dëshmitar?”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në platformën ‘X’.
Ndryshe, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, sot ka udhëtuar me helikopter në veri të Kosovës.
Në adresimin e saj për medie, ajo ka bërë të ditur se ka biseduar me përgaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it për të pasur një pasqyrë të qartë për situatën.
“Është e rëndësishme që jemi këtu e të marrim narrativa të ndryshme për atë që po ndodh dhe çfarë po thonë njerëzit”, ka thënë Kallas.