A e pati mbështetjen e Hotit? Abdixhiku nominohet nga LDK-ja për kryeministër, i hapur ta marrë Limajn në listë
- Avdullah Hoti s’ishte në takim të Kryesisë.
Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u nominua nga Kryesia e partisë së vet edhe në këto zgjedhje si kandidat për kryeministër.
Tash ai duhet të konfirmohet me votë dërmuese në Këshill të Përgjithshëm.
Në mbledhjes disaorëshe të Kryesisë së LDK-së i pranishëm nuk ishte, megjithatë, një figurë kyçe e tyre: Avdullah Hoti.
Nuk u pa nga gazetarët as të hynte, as të dilte, në takim.
Ky i fundit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kishte dalë haptazi kundër udhëheqësisë së partisë dhe kërkuar ndërrimin e saj.
Arsyeja e tij, sipas tij, ishte perfomanca “e dobët” zgjedhore nën lidershipin e Abdixhikut.
Anëtarë të tjerë të lartë e kishin deflektuar Hotin në këto kërkesa: një prej tyre, Gazmend Muhaxheri, i cili kishte pyetur se “ku është logjika?” e ndërrimit të Abdixhikut, kur ky i fundit kishte rritur partinë për 70 mijë vota.
Abdixhiku kishte ofruar edhe votëbesim pas kësaj ‘zënke’, që kërkesat e Hotit të ballafaqohesin me votë në Këshill të Përgjithshëm.
Shtatë-tetë muaj më vonë, me zgjedhjet e reja parlamentare në horizont, kjo “betejë” s’është treguar të jetë përmbyllur.
Abdixhiku tha se Kryesia s’e pa të udhës të diskutojë gjatë nëse ai do të duhej të ishte kandidati për kryeministër duke qenë se është kryetar parti,.e
“Kryesia konsideron se përderisa ka kryetar partie, s’ka nevojë të ketë kandidat tjetër për KM. Prandja më nominoi, si propozim për Këshill të Përgjithshëm”, tha ai.
Për më tepër, Abdixhiku njoftoi se i ka çelur dyert për parti si Nisma Socialdemokrate, Partia Demokristiane, Partia e Drejtësisë dhe Aleanca për Kosovën e Re.
Këto parti, sipas Abdixhikut, do të kenë mundësinë të përfshihen në listën e LDK-së.
“LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hap edhe për partitë e tjera, përfshirë edhe zotin Limaj, me deputetët e vet”, tha Abdixhiku.
“Kemi gatishmëri. Siç kemi edhe për parti si Demokristianët, Partinë për Drejtësi, Aleancën e zotit Pacolli, jemi të hapur për parti dhe individ”.
Bisedimet me Nisman
Javë më parë Abdixhiku ishte takuar në një restoran në Prishtinë me Fatmir Limajn e Nismas Socialdemokrate.
Arsyet e takimit i kishin dhënë për krejt të zakonshme.
Tek më vonë në media ishte raportuar për një “koalicion” të mundshëm mes LDK-së dhe Nismas Socialdemokrate.
“Për çështje bashkëpunimi me akterë tjerë politikë, fjalën e kam edhe për prurje të reja por edhe për përfshirje brenda listës së LDK-së për akterë të tjerë.
LDK ka vendosur në këtë mbledhje që do të garojë si e vetme, si emër, por që brenda listës do të bëjë bisedime me potencialisht individë dhe, besa edhe me parti politike, që mund ët jenë pjesë e listës”, tha Abdixhiku.
“Të gjitha diskutimet që kemi pasur deri më tani, me këtë vendim të kryesisë, është hapur që rruga që të përfshihet në një listë të madhe përbashkuese, besoj që ky momentum i mirë i LDK-së të shërbejë për afrim të tjerëve në listë të përbashkët”, tha mes tjerash ai.