A e mori seriozisht Kurti raportin e Amerikës për korrupsion serioz në Qeverinë e tij? - NACIONALE

A e mori seriozisht Kurti raportin e Amerikës për korrupsion serioz në Qeverinë e tij?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Departmenti i Shtetit ka publikuar raportin vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2023. Njëjtë si në vitin paraprak, përmendet korrupsioni serioz qeveritar. Nacionale në një artikull të vitit të kaluar, theksonte se si fjala “korrupsion”, është e shkruar hiç më pak se 21 herë. Qysh ishte arsyetuar Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kujdeset që thuajse në secilën paraqitje, të përmend shumë raporte që sipas tij, e paraqesin mirë Qeverinë e tij në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, atë të raportit të DASh-it që ishte publikuar para një viti, e kishte përmendur një herë, duke thënë se do ta marrë shumë seriozisht:

“Ne bëjmë maksimumin e mundshëm, nuk e kursejmë as vullnetin, as përpjekjen e as dijen që e kemi. Gjatë këtyre dy viteve Kosova ka shënuar përparime të mëdha, a jemi aty ku duam, ende jo. Mirëpo të gjitha ministritë, teksa shënojmë këtë javë dy vjetorin në qeverisje, e bëjnë më të mirën e mundshme. Edhe vërejtjet, kritikat të cilat na jepen do t’i marrim me shumë seriozitet e do t’i trajtojmë me përpikëri”.

Sërish “korrupsion serioz qeveritar”

Derisa Kurti para një viti deklaronte se raporti do të merrej seriozisht, DASh-i edhe në raportin e publikuar më 22 mars 2024, e përmend korrupsionin serioz qeveritar.

"Ligji ofron dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit.” – thuhet në këtë raport.

Mes tjerash, në raportin e këtij viti, janë të përfshirë edhe raportimet e mediave në lidhje me hetimet për korrupsion ndaj disa ministrave e zëvendësministrave në Qeverinë Kurti.

“Mediat raportuan se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës hapën hetime kundër të paktën pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsionin.” – thuhet mes tjerash.

DASh përmend mes tjerash me emër e mbiemer një ministre dhe një zëvendësministre:

“Ndaras, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtore ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë dhe i gjobiti respektivisht 700 euro (764 dollarë) dhe 500 euro (545 dollarë).”

Lajme të ngjashme