"Korrupsion serioz" në Qeveri: Fjala famëkeqe në raportin e DASh përmendet 21 herë - NACIONALE

"Korrupsion serioz" në Qeveri: Fjala famëkeqe në raportin e DASh përmendet 21 herë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit (DASh) për Kosovën e vitit 2022 e përmendi plot 21 herë fjalën korrupsion. A është damkosëse një gjë e tillë për Qeverinë Kurti?

Raporti 40-faqësh i DASh-it për “Të Drejtat e Njeriut” në Kosovë në vitin 2022 ka bërë bujë në Kosovë.

Aty përmendet në mënyrë specifike edhe korrupsione. Qysh në përmendjen e parë, pretendimi i ngritur është mjaft njollosës për Qeverinë e Kosovës.

“Çështje domethënëse të të drejtave të njeriut përfshijnë raportime të: korrupsionit serioz qeveritar dhe pandëshmueshmërisë...”

Pra, kur flitet për “korrupsion serioz” ajo që duhet kuptuar është se ka raste të rënda korruptive në Qeverinë e Kosovës dhe jo se korrupsioni në ndonjë formë është bërë më serioz se që ishte dikur.

Përmendja e dytë bëhet qysh në faqen e dytë, dhe thotë si vijon: “Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media kanë raportuar raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion apo që veprojnë me pandëshkueshmëri.”

Përmendja e tretë ka të bëjë me korrupsionin nëpër burgje.

Edhe e katërta nuk ka të bëjë direkt me Qeverinë por me shërbimin korrektor. Ashtu siç ka të bëjë edhe përmendja e pestë.

Por, përmendja e gjashtë është po ashtu problematike për Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

“Gazetarët janë ankuar se pronarët e mediave kanë parandaluar ata së raportuari mbi korrupsionin e nivelit të lartë qeveritar.”

Ndërkohë, i gjithë seksioni i 4 i dedikohet “Korrupsionit dhe Mungesës së Transparencës në Qeveri”.

“Ligji ofron ndëshkime kriminale për korrupsionin nga zyrtarët, por qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë të efektshme. Ka pasur shumë raportime për korrupsion qeveritar.” – shkruhet në hyrje të këtij seksioni.

Aty më pas tregohet edhe për mos-efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe për të shumëpërmendurat, lëndë të parashkruara.

A përmendet Kurti?

Në njoftim të këtij raportimi tregohet se si kryeministër i vendit është Albin Kurti, dhe se si ai ka marrë detyrën qysh në marsin e vitit 2021 pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit të atij viti.

Deri tash nuk ka pasur një reagim nga zyrtarë të Qeverisë Kurti për këtë raport nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Lajme të ngjashme