A e kuptoi Kurti atë që u fol në Ohër? Deklaratat e tij të habitshme për Asociacionin - NACIONALE

A e kuptoi Kurti atë që u fol në Ohër? Deklaratat e tij të habitshme për Asociacionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme foli sërish në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke përmendur... “rendin kronologjik të marrëveshjeve”. Në anën tjetër, kryediplomati Josep Borrell, u shpreh se "Kosova (Kurti) ishte pajtuar që të niste menjëherë" punën për Nenin 7 (vetëmenaxhimi). Qysh të kuptohet kjo? Besnik Bislimi na vjen në ndihmë.

“Ka rend kronologjik të marrëveshjeve. Nuk ka hierarki logjike apo vlerore...” – tha Kurti mbrëmë kur u pyet për Asociacionin.

Siç mund ta dini, njëra marrëveshje për Asociacionin ishte bërë në prill të vitit 2013 ndërsa tjetra për Parimet e Përgjithshme në gusht të vitit 2015.

A flet Aneksi për një gjë të tillë?

“Rendi i paragrafëve në Aneks është pa paragjykim mbi rendin e zbatimit të tyre,” – thuhet në njërën pikë të Aneksit.

Ndërkohë, një pajtim tjetër i bërë nga Kurti dhe Vuçiqi është që “të gjitha Nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.”

Këto dy pika në Aneks duken në shpërputhje me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, që duket se nuk ka kuptuar mirë atë që është folur në takimet e Ohrit.

Josep Borrell në anën tjetër, mbrëmë në konferencën pas arritjes së marrëveshjes, u shpreh si vijon:

“Për të zbatuar Nenin 7 të Marrëveshjes, Kosova është pajtuar që të nis menjëherë – dhe kur them menjëherë, nënkuptoj menjëherë – negociatat brenda Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për vendosjen e masave dhe garancive specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetit serb në Kosovë.”

Pra, a u pajtua Kurti që menjëherë të niste punën për Nenin 7? Sipas Borrellit po. Por, çka tha Kurti për këtë çështje?

“Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat që flet për një nivel të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Dhe në këtë mënyrë ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta... duhet të mos harrojmë se propozimi i presidentit Ahtisaari iu ka krijuar mundësi që edhe t’i kërkojnë të drejtat edhe t’i realizojnë liritë e tyre...” - u shpreh ai kur ishte pyetur në lidhje me deklaratat e kryeministrit Kurti.

Shumë komentues po e kuptojnë Nenin 7 të Marrëveshjes së 27 shkurtit si një tjetër referencë për Asociacionin. Dhe kështu e kuptonte edhe BE-ja, marrë parasysh deklaratat e Besnik Bislimit.

“Ne e shohim (Asociacionin) në nenin 10 tek marrëveshjet e kaluara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara... me gjasë sipas një interpretimit të Bashkimit Evropian, ata Asociacionin e shohin edhe tek pika 7, pjesa e parë, te vetëmenaxhimi. Që tregon se për Bashkimin Evropian nuk po flitet për të drejta kolektive të komunitetit, komunikimit por për një lloj koordinimi për koordinimin e aktiviteteve të komunave me shumicë serbe.” - kishte thënë ai në një intervistë.

Lajme të ngjashme