“A duhet me dhanë dorëheqje”: Blerim Shala tregon detajet e pathëna nga bisedat e Thaçit me ambasadorë pas raportit të Dick Martyt
Gazetari dhe aktivisti Blerim Shala ka zbuluar se asokohe si kryeministër, Hashim Thaçi, kishte ofruar dorëheqjen para përfaqësuesve ndërkombëtarë pas publikimit të raportit të Dick Marty në vitin 2011.
Në një bashkëbisedim në podcast me Veton Surroin, Shala ka thënë se Thaçi kishte thirrur ambasadorët e vendeve të Quintit dhe i kishte pyetur drejtpërdrejt nëse duhej të largohej nga posti apo të vazhdonte detyrën.
Sipas tij, përgjigjja kishte qenë e prerë nga diplomati amerikan Christopher Dell, i cili i kishte thënë: “Jo, ti duhet të qëndrosh”.
“Po edhe Hashim Thaçi, në bazë të fjalëve që m’i ka thënë, kur i ka thirrë ambasadorët e Grupit të Kontaktit, gjegjësisht Quintit, se atëherë Rusia më s’ka qenë, ka qenë këto pranishme dhe është sot e kësaj dite, por jo me atë lojë që e ka pasë në Grupin e Kontaktit. I ka thirrë, e u ka thënë mbas këtij raporti të Dick Martyt, a duhet me dhënë dorëheqje, a duhet me ndejtë, a çka duhet me ba. Por i pari Chirs Delli i ka thënë, ‘Jo. Ti duhet me ndejt’. Tash ajo ka qenë pak problematike, sepse normalisht presioni ka qenë shumë i madh, sepse raporti i Dick Martyt është tepër i rëndë në substancë që thotë shqiptarët, UÇK-ja, kanë qenë të angazhuar në trafikim me organe njerëzore, sepse kjo ishte më e rënda e mundshme”, rrëfeu Shala.