A do t’i bllokojë pushteti edhe komisionet e tjera hetimore sikur atë të rezervave?
Më shumë se asnjëherë më parë, ditëve të fundit është diskutuar për krijimin e Komisioneve Hetimore Parlamentare. Megjithatë, disa pushteti po i bllokon para krijimit, e disa pas themelimit në Kuvend. Nacionale sjell detaje.
Kur gazeta Nacionale kishte publikuar vitin e kaluar audio-incizimet që dëshmonin për dallaveret me vaj, sheqer e grurë, reagimet ishin të shumta. Veproi edhe Prokuroria Speciale duke arrestuar disa prej zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Pas shumë reagimeve, partitë në opozitë iniciuan krijimin e një komisioni hetimor parlamentar. Pas shumë përplasjeve, më në fund pozitë e opozitë arritën dakordimin për ta krijuar këtë komision i cili do të kishte afat 6 muaj për të hetuar hajnitë në rezerva shtetërore.
Megjithatë, strategjia e pushtetit doli të kishte qenë e qartë. Për 3 muaj me radhë, Vetëvendosje nuk shkoi në mbledhjen konstituive të komisionit duke pamundësuar kuorumin.
Ata deklaronin kinse nuk marrin pjesë në këtë komision, pa u votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Pasi marrëveshjet u votuan, e deputetët e VV-së nisën të shkojnë në mbledhjet e këtij komisioni, asnjë punë nuk u krye. Deputetët e pushtetit pamundësonin pothuajse secilën inicativë që vinte nga deputetët në opozitë, për të kërkuar sqarime nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Në secilën mbledhje kishte përplasje e debate të ashpra, dhe deputetët e pushtetit lëshonin sallën. Kjo bëri që afati 6-mujor të mbyllet pa zbardhur as edhe një detaj nga skandali që kishte tronditur Kosovën.
Pasi komisionit nuk iu vazhua mandati, partitë në opozitë reaguan ashpër.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se moszgjatja e mandatit ishte interpretim i Zyrës ligjore të Kuvendit,
Por, ai nuk e përjashtoi mundësinë që nëse ka vullnet dhe marrëveshje politike, komisionit mund t’i vazhdohet mandatit edhe për tre muaj.
“Ata në atë mënyrë po e interpretojnë ligjin, që komisioni hetimor parlamentar ka mandat vetëm 6 muaj. Mirëpo unë mendoj se nëse do të kishte vullnet dhe marrëveshje politike, ky nuk është kurrfarë problemi, mund t’i shtohen edhe tre muaj” – tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë.
Ndërkaq, deputeti Arben Gashi nga LDK tha se komisioni është bllokuar qëllimshëm.
“Nuk ka ndodh asnjëherë, asnjë shumicë parlamentare që të bllokojë qëllimisht, të sabotojë 6 muaj një komision hetimor parlamentar dhe në fund të pamundësojë vendimmarrjen në atë komision hetimor” – tha ai.
Komisioni për kontratat njëburimore
Përderisa VV-ja, me zor, u pajtua ta themelojë Komisionin për Rezerva, nuk po e përkrahë në asnjë mënyrë komisonin për kontratat njëburimore.
Për disa seanca me radhë, partia në pushtet nuk po i del në mbështetje krijimit të këtij komisioni. Ani pse, opozita ka ngritur dyshime për korrupsion masiv.
Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se deri sa të binden se opozita me të vërtetë kërkojnë zgjedhje të parakohshme, nuk i propozojnë emrat për komison hetimor.
“Nuk po e dimë- a janë më me prioritet hetimet këtu brenda në Kuvend apo zgjedhjet jashtë Kuvendit për ta ndërruar strukturën e Kuvendit … Prandaj deri sa të bindemi se këta me të vërtetë kërkojnë zgjedhje, ne nuk i kemi këta pesë emra. Ta dinë qytetarët se ky do të bëhej komisioni i gjashtë ose shtatë”- tha Kusari- Lila.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se LDK insiston në themelimin e këtij komisioni dhe propozoi deputeten Hykmete Bajrami si kryesuese dhe deputetin Besian Mustafa si anëtar.
“Na vjen keq që partia në pozitë e ka lëshu bajraku edhe nuk janë të gatshëm me marrë përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese që i kanë, por ne nuk mund të ndalemi, duhet me ecë tutje. Atë çka mund të ju them në emër të LDK-së është se ne kemi fillu me u dashuru me postulatin ‘Hajnat në burg’, por jo hajna në zgjedhje. LVV po don me shku me postulatin ‘Hajnat në zgjedhje, për çka mendoj se është qasje e gabueshme”- tha Selmanaj.
Ndërsa, kreu i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se qeveria po frikësohet të ballafaqohet me të vërtetën dhe se, sipas tij, mospropozimi i kandidatëve e vërteton këtë. Si anëtar të komisionit ai e ka propozuar deputetin Pal Lekaj.
“Ajo që po shihet dhe po vërtetohet në këtë seancë është një ikje nga tema- nga komisioni hetimor, që në fakt kjo ikje është frikë e qeverisë me u ballafaqu me të vërtetën. Mospropozimi i kandidatëve e vërteton pohimin tonë se tenderët njëburimorë janë vatra korruptive e kësaj qeverie”- theksoi Tahiri i AAK-së.
Komisioni për kontratën e Gani Jakupit dhe të tjerëve
Komisioni Hetimor parlamentar lidhur me anëtarët e shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së jashtme, është konsituuar javën e kaluar.
Ky Komision, ishte votuar në Kuvendin e Kosovës, me 62 vota pro më 7 mars të këtij viti.
Komisioni i themeluar me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës, vjen si pasojë e kontratave si ajo e Gani Jakupit, që dyshohet se ekzistojnë edhe të tjera.
Deri më tash, në komision është diskutuar vetëm për planet fillestare rreth krijimit të një agjende të punës.
Mbetet të shihet nëse do ta bllokojë VV-ja edhe këtë komision.