A do të ndryshoj politika amerikane ndaj Kosovës me ardhjen e Trump, sipas Hovenier?
Roli i Shteteve të Bashkuara në mbështetjen e procesit që u konkretizua me Shpalljen e Pavarësisë dhe më pas njohjen e saj erdhi nga populli amerikan, pa marrë parasysh se cila parti politike ishte në pushtet, tha ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, gjatë një interviste në emisionin "Context" në ATV, kur u pyet nëse pret ndonjë ndryshim në politikën amerikane ndaj Kosovës me kthimin e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të thosha këtë, populli amerikan e ka mbështetur vazhdimisht popullin e Kosovës. E mbështeti para krizës së 1999-ës dhe sigurisht e mbështeti pas krizës së vitit 1999, si dhe sigurisht që e kanë bërë gjithashtu që nga viti 2008, kur Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës. Dhe sigurisht, ne luajtëm një rol të rëndësishëm në mbështetjen e procesit që arriti pavarësinë e Kosovës, dhe kjo është, mendoj, diçka nga populli amerikan, pa marrë parasysh se cila parti apo person është në pushtet në një moment të caktuar.” – tha Hovenier.
Hovenier, ndonëse nuk përjashtoi rishikim politikash nga administrata e ardhshme, tha se mbetet e rëndësishme që Kosova “të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e përgjegjshme ndaj miqve dhe partnerëve të saj.”
“Në mënyrë të pashmangshme, sa herë që një administratë e re amerikane merr detyrën, ata shikojnë çështjet e pazgjidhura dhe bëjnë disa rishikime politikash. Pra, nuk do të ishte e pazakontë që administrata Trump të merrte disa këndvështrime të ndryshme për disa nga çështjet e politikës nga ato që ka administrata Biden. Si ambasador i SHBA-së këtu, unë nuk mund të flas për to. Nuk mund të flas se çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë administrata e ardhshme. Mund të them se mendoj që gjëja më e rëndësishme që Kosova të bëjë është të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e përgjegjshme ndaj miqve dhe partnerëve të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke reaguar për disa gjëra specifike që i kemi kërkuar. Dhe kjo më kthen te dialogu dhe nevoja... patëm një marrëveshje mjaft të mirë vitin e kaluar në Bruksel dhe më pas aneksin e zbatimit në Ohër dhe shpresojmë të shohim, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, shumë më tepër energji të ripërtërirë të shpenzuar për zbatimin e detyrimeve të ndërmarra në ato raste.” – tha Hovenier.