Edhe VV-ja e quante "kolaboracionist": A do të dëshmonte Rugova në Hagë për ta mbrojtur Thaçin?
Gjykata Speciale është rikthyer në kryetemë të debateve televizive dhe debateve në rrjete sociale. Por, një pretendim i bërë dje nga Hashim Thaçi në Hagë ka shkaktuar veçanërisht polemika: A do të dëshmonte Rugova për të në Hagë?
Ish-presidenti Hashim Thaçi e mbajti një fjalim dje në seancën e Gjykatës Speciale ku shprehu keqardhjen që nuk ishin gjallë një varg personalitetesh për ta dëshmuar të kundërtën e pretendimeve që po bënte Zyra e Prokurorisë Speciale (ZPS).
“Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi të dëgjojmë në këtë gjykatë dëshmitë e sekretares Albright, sekretarit të jashtëm Robin Cook, senatorit Dole, ambasadorit Holbroke, të presidentit Ibrahim Rugova, profesor Fehmi Aganit, Adem Demaqit e liderëve të tjerë.” – tha ai.

Asnjë nga personalitetet e lartpërmendura nuk shkaktoi më shumë bujë se sa Ibrahim Rugova, shkaku i rivalitetit të gjatë politik mes tyre.
Sipas bashkëpunëtores së Rugovës, Melihate Tërmkollit, një gjë e tillë do të ndodhte.
“Po të ishte Presidenti Rugova, e pakta që do të bënte dje, ai do të niste një letër Gjykatës Speciale në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe popullit të Kosovës...” – shkruante ajo.
Aktakuza nxit përçarje
Ish-presidenti Rugova përmendet 14 herë në Aktakuzën e Përditësuar të Prokurorisë Speciale me 238 faqe.

Mes tjerash, aty përmendet armiqësia e lidershipit të UÇK-së ndaj presidentit historik duke u cituar mes tjerash edhe Jakup Krasniqi:
“Tashmë, nuk është Rugova që vendos për Kosovën, por UÇK-ja,”
Po ashtu, Krasniqit i atribuohet edhe deklarata se Rugova gjithmonë ishte shfaqur i gatshëm që të “sakrifikonte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Në faqe 25, përmendet se si Rugova ishte akuzuar për “tradhti” pas takimit që kishte pasur me diktatorin Sllobodan Millosheviq në Beograd.
“Në deklarata tjera, Thaçi vazhdoi të akuzonte Rugovën për “papërgjegjshmëri kombëtare dhe politike...” – shkruhet tutje.
Megjithëse është e qartë se ka pasur animozitet dhe mospajtime të dukshme mes UÇK-së dhe LDK-së, sidomos gjatë kohës së luftës, është e qartë edhe që Rugova e Thaçi kishin ulur tensionet.
Duke dëshmuar kundër Millosheviqit, po në Hagë, presidenti historik Rugova do të thoshte këto fjalë:
“Ajo (UÇK-ja) ka qenë një organizatë që është krijuar nga populli, nga njerëzit, nga patriotët kur ka filluar sulmi ushtarak mbi Kosovën dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës...”

VV e quante kolaboracionist Rugovën
Vetëvendosje në një nga shumë komunikatat që i ka fshirë, e akuzonte Hashim Thaçin që i ka shkuar në varrim presidentit Rugova.
“Ti (Hashim) që thirresh në emër të gjakut të derdhur u përkule para arkivolit të Rugovës... Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Vetëvendosje dhe nuk ishin shumë bashkëluftëtarë... Por ti (Hashim) ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar edhe të silleshe si ai.” - i thoshte VV-ja Hashim Thaçit duke e quajtur presidentin e ndjerë si “kolaboracionist”.
Pikërisht kjo fjalë del të jetë problematike edhe për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë duke u përmendur 66 herë.

