A do të na hollojnë xhepat më tej “dhomat e nxehta”: Çka fshihet pas kërkesës për 21% më shtrenjtë, sipas njohësve
Shpresa se ky dimër do të kalonte pa një tjetër rritje të çmimit të energjisë u zbeh shpejt. KESCO i është drejtuar sërish Zyrës së Rregullatorit me kërkesën tashmë të kthyer në ritual: rritje tjetër e tarifave, kësaj radhe prej 21 për qind. Kjo faturë e re, nëse aprovohet, na vjen mbi një sërë – se kemi humbur numërimin – shtrenjtimesh në pothuajse secilin vit gjatë qeverisë Kurti II.
Për Kryeministrin në detyër, Albin Kurti, i cili ka udhëhequr qeverinë përgjatë kësaj periudhe të krizës energjetike, gishtat e fajësisë duket se drejtohen kah shprehitë e qytetarëve dhe jo te politikat menaxhuese. Në një deklaratë që ka ngjallur reagime, Kurti ka thënë: “Temperaturat nëpër dhoma i kemi më të nalta se sa është normalja”.
Për deputeten e LDK-së, Janina Ymeri, varësia kronike nga importi i shtrenjtë mbetet shkaktari më i drejtpërdrejtë i rritjeve të pakontrollueshme të çmimeve. E ftuar në emisionin T7, Ymeri shpjegoi se si sistemi energjetik është lënë në mëshirë të tregjeve të jashtme.
“Çka ka ndodhur është që këta e kanë lënë të gjithë sistemin energjetik në import – çdo ditë kemi importuar mbi 700 mijë euro në vitin 2025. Çdo ditë, mesatarisht. Çfarëdo dite, çfarëdo stine,” ka deklaruar Ymeri.
Sipas deputetes, kërkesa për rritje është pasojë zinxhir. “Në fund, kush ankohet më shumë, ankohet sektori privat. KEDS-i dhe KESCO e kanë fitimin e kontrolluar dhe kërkojnë para shtesë. Por mos të harrojmë, përgjegjëse ka qenë edhe ZRRE, ndërsa edhe KOSTT-i po kërkon më shumë të hyra për shkak të kostove shtesë teknike nga rritja e importit. Për import kanë të drejtë,” tha ajo.
Profesori Adem Qorolli e sheh këtë kërkesë si një përsëritje të skenarëve të viteve 2021-2022, ku operatori përdor rritjen e pagës minimale për të justifikuar tarifat, ndërkohë që fitimet mbesin të paprekura. "Kjo rritje e pagës minimale ka nxjerrë në pah se sa pak paguhen punëtorët apo qytetarët e Republikës së Kosovës brenda një oligarku që fiton mbi 40 milionë euro,” u shpreh Qorolli në T7.
Ai përmendi tri arsyet mbi të cilët bazohet kërkesa e KESCO-s: rritja e pagës minimale, humbjet teknike (dëmet) në rrjet që nuk po mbulohen, dhe faturimi i energjisë në veri të Mitrovicës.
“Janë tre faktorë në bazë të cilëve është kërkuar rritja: paga minimale si arsyetim, janë dëmet e shkaktuara në rrjet, dhe brenda këtij dëmi të shkaktuar, apo humbjet energjetike ky nuk po i pranon, dhe tarifimin e energjisë elektrike të banorëve në veri të Mitrovicës,” tha Qorrolli
Megjithatë, profesori parashikon se kjo kërkesë do të shërbejë si terren për manovra politike nga Kurti. Sipas tij, rritja e plotë 21% nuk do të pranohet, për t’i dhënë Kurtit mundësinë të shfaqet si mbrojtës i qytetarëve, tek pas katër rritjeve nën qeverinë Kurti II.
“Këto janë tri arsye dhe unë nuk pres që këto të pranohen sepse kemi të bëjmë me institucione që janë populiste të mungueshme. Arsyeja e tij dhe vaji i tij u shpërblye dhe tashmë ia kanë rritur qëllimin dhe realisht çka pres është që këtë kërkesë – kryeministri Kurti – ta shfrytëzojë më shumë për populizëm, sepse prej informatave dhe miqve që i kemi afër aty, nuk ka rritje.
I vetmi vendim që do ta pranojë, sepse ky do të hidhet që jam i popullit dhe nuk lejoj keqpërdorimin apo rritjen e energjisë elektrike, dhe i vetmi që do të duket shpëtimtar pas katër rritjeve, është që të lejojë një rritje minimale mbi 800 kW kush shpenzon, e realisht aty është rritja më shumë se 20 për qind sepse do të ketë 4 deri në 6 për qind për ata që shpenzojnë mbi 800 kW,” tha ai.