“A çon ka PDK?; Prapashtica”: A po i tutet VV-ja “Rrugës së Re” të LDK-së së Abdixhikut?
Rruga e Re” e LDK-së tashmë ka nisur të marrë formën e saj. Pas logos, është paralajmëruar edhe publikimi i një programi gjithëpërfshirës, që duket të jetë pjesë e reformës së Lumir Abdixhikut, pas debaklit elektoral të LDK-së më 14 shkrut të 2021. Por kjo nismë e Abdixhikut, duket se i ka trazuar ujrat në VV, teksa tre zyrtarë të saj kanë tentuar të ironizojnë me “Rrugën e Re” të LDK-së.
Dejona Mihali, Dimal Basha dhe Mefail Bajqinovci janë tre “musketerët” e VV-së që shkruan ca rreshta, duke e kundërshtuar përmes ironisë rrugën e LDK së Abdixhikut.
Në fakt, ironia e tyre më shumë lë përshtypjen e një frike të qenësishme nga mundësia e ngritjes së LDK-së. Pra ekzistimi i potencialit për rikthimin e LDK-së, e ka degjeneruar “kritikën” e VV-së në rreshta ironik.
Ndoshta në këtë rast ironia tregon edhe pamundësinë për të artikuluar ndonjë kritikë për “Rrugën e Re” të LDK-së.
Karvanit të tentativës për “kritikë” përmes ironisë, iu bashkuan edhe disa analistë të afërt me qëndrime me VV-në, të cilët mund t’i përmbledhim nën cilësorin e “analistëve të pushtetit”.
Nejse, çka thanë Mihali, Basha e Bajqinovci?
Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve të LVV-së, ka komentuar “Rrugën e Re” të LDK-së, e cila tashmë e ka bërë gati edhe programin, ndonëse ende nuk e ka publikuar.
Mihali ka shtruar një pyetje, që më shumë gjasë duhet të jetë retorike.
Në fakt, për mes pyetjes dhe fjalisë pasuese, ajo është tallur me LDK-në, por edhe me nismën e Qeverisë në Hije të PDK-së, e cila nuk kompletuar.
“Kjo rruga a shpie te qeveria në hije e PDK?
Se ka humbur prej vjet në pranverë kur u formua.” – shkroi ajo.
Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, tenton të ironizojë më programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk është se ia del edhe aq.
“Uroj që ka ndonjë kontroll rrugës para se me marrë n’qaf naj njeri n’udhë të drejtë”, shkruan Dimal Basha.
Ndërsa, deputeti “zhurmaxhi” i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se “Rruga e re” pa Kurtin të çon vetëm në Prapashticë.
“"Rruga e Re" e pa Kurtin, është veç rruga për Prapashticë.” – ka shkruar Bajqinovci.
Prezentimi i logos së “Rrugës së Re”
Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zbuluar logon e programit të ri politik, i njohur si "Rruga e Re".
LDK-ja ka bërë të ditur se specifikat e programit "Rruga e Re" do të prezantohen zyrtarisht në muajt e ardhshëm, duke i dhënë një formë të plotë dhe të detajuar vizionit të partisë për të ardhmen e Kosovës.
I pari i LDK-së, muajt e fundit vazhdimisht ka folur për “Rrugën e Re”, e cila sipas tij synon ndër të tjera daljen nga kriza njëvjeçare dhe me detyrimet ndërkombëtare që ka Kosova, parandalimi i politikave të gabuara etj.
“Rruga e re po merret me zgjedhjet në Veri, me daljen nga kriza një vjecare dhe me obligimet ndërkombëtare që ka Kosova. Rruga e Re do të shpaloset paralelisht me programin e LDK-së. Po punojmë drejtë asaj se si të parandalojmë një qeveri që arsyeton politikat e gabuara. Si tek çështja e mediave, prokurorisë e të tjera. Dua të hap një Rrugë të Re. Rruga jonë e re nuk është kthim në rrugën e vjetër. Derën nuk ia hapim së shkuarës. As së tashmes së Albin Kurtit. Kjo mendësi qeverisëse është e pandryshueshme dhe po e rrënon gjithë atë që Kosova ka ndërtuar”, kishte deklaruar Abdixhiku në Rubikon.