700 punëtorë të RTK-së pa paga, i drejtohen Kurtit: Situata është e rëndë, shkatërruese
Punëtorët e RTK-së po vazhdojnë grevën, duke kërkuar pagesat që u takojnë me ligj, ndërsa situata ka hyrë në muajin e tretë pa paga. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Gëzim Bimbashi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke thënë se kërkesa për pagë nuk mund të konsiderohet politike.
Ai ka kundërshtuar pretendimet për paga të larta në RTK. “Ejani dhe iu tregojmë sa janë pagat në RTK. Nuk kanë lëvizur prej vitit 2006. Situata është e rëndë dhe shkatërruese”, tha Bimbashi, duke bërë thirrje që legjislatura e ardhshme të miratojë ligjin e ri për televizionin publik dhe t’i garantojë pavarësinë financiare.
Bimbashi i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë urgjentisht. “Kemi familje dhe nuk kemi si të mbijetojmë. Situata është emergjente. Zgjidhje ligjore ka, duhet vetëm vullnet”, tha ai, duke theksuar se greva do të vazhdojë derisa të gjendet një zgjidhje.