“600 euro certifikata”, “shkelje jam tu kry dije” – Përgjimet që dëshmojnë dallaveret me subvencione - NACIONALE

“600 euro certifikata”, “shkelje jam tu kry dije” – Përgjimet që dëshmojnë dallaveret me subvencione

4 vjet më parë

nga Besian Beha

Manipulimi e korrupsioni me subvencione nuk përfundonte vetëm me takime nëpër kafiteri e restorante. As nëpër parkingjet e qendrave tregtare, siç raportoi një ditë më parë Gazeta Nacionale. Që gjithçka rreth planeve për kurdisjen e përfitimeve me subvencione të shkonte në rregull, përdoreshin edhe telefonat e aparatet e tjera teknologjike. Të gjitha bisedat në formatin me zë, por edhe në formën e shkruar, prokuroria i posedon si prova dhe i ka përfshirë në aktakuzë. Në vijim sjellim një pjesë prej tyre.

WhatssApp, Viber, Facebook, ishin platformat pa pagesë ku personat e përfshirë në aferën e subvencioneve, komunikonin zakonisht. Por nganjëherë, kur kishin vështirësi të dakordoheshin për çmimet, dokumentacionet e detajet e tjera, komunikonin edhe me mesazhe e thirrje telefonike. Të gjitha këto prova i posedon prokuroria, dhe i ka prezantuar në aktakuzën “Subvencioni 1” të cilën e ka siguruar Gazeta Nacionale.

Kokës së gjithë këtij organizimi ia kishin lënë emrin “ministri”, ndoshta edhe për shkak të pozitës që e kishte të rëndësishme në gjithë aferën e subvencioneve. Kështu, Luan Statovci si drejtor për pagesa në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, organizonte gjithë planet për dorëzimin e dokumentacioneve, e deri te transferimi i mjeteve financiare nëpër xhirollogaritë e aplikuesve.

Në bisedat mes tyre, diskutohej me shifra të hektarëve dhe planeve se si hapësirat e mbjella me grurë të ktheheshin në bimë aromatike, në mënyrë që përfitimet të ishin edhe më të mëdha. Për këtë, njëri prej aplikuesve nuk pati ndjenjat më të mira të mundshme. Kjo vërehet nga një bisedë që Kastriot Berisha e pati me zyrtarët përgjegjës.

100 hektarë aplikoi ky kolega, unë tu pritë jom n’ren, boll keq pom vjen me ndryshu kulturën. A fole me drejtorin?”

Salih çka me ba me Fuatin, a me kry edhe ata”. “Ama Flamurin nuk ma ke thanë në fillim. Ke thanë 13 euro është hektari.”

“Minimum 600 euro kushton certifikimi, plus ky i ka veç tri parcela.”

“Flasim, une për ty e baj pa fitim, për një rast nuk ka fort problem.”

Kështu ishte një bisedë e Luan Statovcit, Salih Statovcit me Fuat Morinën e persona të tjerë që ishin të përfshirë në rastin e subvencioneve, qoftë si aplikues, apo edhe zyrtarë institucionalë. Nga bisedat, shihet se përfitime të majme merrnin edhe ata që nuk kishin asgjë të mbjellë në tokat e tyre.

Nga ekzaminimi i telefonave të Luan Statovcit dhe Salih Statovcit me Flamur Zeqirin, ky i fundit i dërgon fotografi të tokave të cilat i ka shfrytëzuar për të përfituar subvencione, dhe shihet qartë se nuk ka asgjë të mbjellë, vetëm janë të lëvruara”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Kur kalonin disa kohë, aplikuesit kishin shqetësime pse nuk po kryheshin transaksionet bankare. “Ministri” Luan Statovci, gjente kohë edhe të tallej në disa raste. Kjo është një nga bisedat që e ka zbardhur Prokuroria:

Fukit i ka ardhë vendimi, mu hala jo.”

“S’më erdh hala vendimi.”

“Po folë ti shumë, qata nuk të vjen.”

“Kastrioti me datë 29.10.2020 e njofton se i ka shkuar vendimi për subvencione dhe ia dërgon vendimin e fotografuar.”

“Hahahaha”, - ishte përgjigja e Statovcit.

Në disa momente të bisedave telefonike ku prokuroria kishte përdorur masa të përgjimit, zyrtarët e dinin se po kryenin shkelje ligjore.

Gjatë masave të fshehta të hetimit në zyrën e Luan Statovcit dëgjohet biseda me Hasan Maxharraj dhe gjatë bisedës ai i thotë: po t’kallëzoj nifar rreziku e kom marrë mi veti, e aty i kom shti do, t’kom shti ty, kom ba shkelje, ashiqare po t’kallzoj. Mirëpo t’kom thane që e kry edhe i kom kry. Edhe këta jon njerëz që kanë shku për pagesë e që se kanë meritu. Kumrije Maxharraj e kom shti, Gjon Musolli 17400 euro veç për sipërfaqe, Shemsedin Metaj 8224 euro e plot tjerë”, shkruhet në një pjesë të aktakuzës së përpiluara nga prokurori Rafet Halimi. Në disa pjesë, nuk mungonin as ofendimet.

“Dje pardje ka folë me to edhe tha llogariti në të hanën i ki”, “Ose kryj sot thuj, sonte, thuj ta kena qit këstin e dytë 90 mijë euro, q** nanen”, është thënë në një pjesë të bisedave tjera të zyrtarëve të përfshirë bashkë me aplikuesit.

Disa nga të akuzuarit, i pranojnë dallaveret me subvencione

Gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, një pjesë e të arrestuarve e kanë pranuar fajësinë për një pjesë prej akuzave. Disa prej tyre, kishin treguar edhe për formën se si ishin kryer këto dallavere. Të gjitha këto zbardhen në pjesën tjetër të aktakuzës nga prokuroria.

I pandehuri Alban Bushati ndër të tjera ka deklaruar se bashkë me Salih Kelmendin kanë pranuar ryshfet nga Bekim Shala në shumë të përgjithshme prej 92 mijë eurove në disa këste, kurse Sadat Shkodrës ia kishte dorëzuar 55 mijë euro. I pandehuri Florim Nimanaj ka deklaruar se kishte aplikuar për subvencione në vitin 2020 për 5 hektarë grurë dhe misër dhe për 5 krerë lopë, kurse për pjesën tjetër ka pasur kulturë që nuk subvencionohet. Kur zyrtarët e ministrisë kishin ardhur për kontrollë, kishin thënë se gjithçka është në rregull”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Nacionale.

Njëra prej të akuzuarve kishte punuar si zyrtare për pagesa direkte. Fillimisht ajo kishte refuzuar një pjesë të aplikimeve për bimë aromatike, kurse pas presionit nga Luan Statovci, ishin pranuar një pjesë e aplikimeve.

“Për aplikuesin Flamur Zeqiri gjatë kontrollit nuk ishin vërejtur bimë aromatike, dhe e pandehura tregon se kishte marrë vendim ta refuzojë. Pastaj në zyrën e saj kishte shkuar Luan Statovci, duke i treguar se bujqësia organike nuk ka nevojë që të dilet në kontroll. Luani i kishte thënë Habibes që të aprovohej pagesa në mënyrë që aplikuesi të mos dëmtohej. E pandehura ka treguar se pas pranimit të Emailit i kishte pranuar lëndët edhe për fermerët: Kastriot Berisha në vlerë 245 mijë euro, Fuad Morina 109 mijë euro, Gzim Morina 45 mijë euro, Bekim Shala 83 mijë euro, dhe Arlinda Seferit 96 mijë euro pa kontroll në terren

Fajësinë e kishte pranuar edhe Hasan Maxharraj si zyrtar për zhvillimin e bujqësisë në komunën e Istogut.

“I pandehuri ka pohuar se motra e tij Kumrije Maxharraj ka aplikuar në Komunën e Pejës në Drejtorinë për Bujqësi për marrjen e subvencioneve nga AZHB për bimë organike mjekësore aromatike në gusht të vitit 2020, tutje deklaron se ai i ka paraqitur rreth 40 Ha kurse të Kumrijes kanë qenë rreth 8 Ha”, thuhet tutje.

Seanca për këtë rast fillimisht ishte caktuar për datën 9 mars, por gjyqtari i rastit Kujtim Krasniqi, e ka kthyer aktakuzën për plotësim.

Aktakuza në rastin e njohur si “Subvencionet I” është ngritur kundër 11 të pandehurve si persona zyrtarë dhe dhjetë të tjerë si përfitues të subvencioneve. Të gjithë dyshohen për: keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, mashtrim në detyrë, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumentacioneve.

Personat e apostrofuar në këtë tekst të gjithë janë pjesë e aktakuzës, dhe prezumohen të pafajshëm deri në vendimin përfundimtar nga gjykata.

Lajme të ngjashme