6 euro e 80 centë ‘rritje’ page: ‘Përmbushëm një zotim’, ‘Ja sa të thella i kanë politikat fiskale'
Gjashtë euro e tetëdhjetë centë është bilanci që nga ky muaj në ardhje do të shënojë dallimin në xhepin e qytetarëve – edhe atyre të sektorit publik edhe privatë.
Kjo si pasojë e të paguarit “më pak tatime” pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale dhe shkallës tatimore në të ardhura dhjetore personale; “ndryshim me rëndësi” dhe “përmbushje e njërit nga zotimet tona”.
“Të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”, tha Murati.
Përkthimi? Të ardhurat e tatueshme prej 500 euro do të paguajnë 6 euro e 80 cent tatim më pak; ose/ose 6 euro e 80 cent “rritje page”.
Veçse kanë vërshuar reagime prej më qortueseve – edhe tallëse – ndaj kësaj “arritjeje” të qeverisë kosovare të trumbetuar fort.
“Qe reforma fiskale e kësaj qeveri dhe masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetës, 6 euro e 80 cent shtesë!”, shkroi ekonomisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.
“Qeveria e paska bë një ndryshim simbolik të politikës fiskale, përmes ndryshimit të shkallëve të tatimit në të ardhura personale. Individët me të hyra të tatueshme prej 500 euro, tani do ti kenë në llogaritë e tyre 6.80 euro shtesë”, shkroi Mustafa.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, shkroi se “ja sa ‘të thella’ janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisë”.
”4 vjet në qeverisje, pagat rriten me 6.8 euro...Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni”.
”As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, shkroi Hoti.
Për të përkthyer domethënien e këtij ‘ndryshimi’, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, peshoi këtë rritje gjashtë euroshe me rritjen e çmimeve në gjësendet elementare.
“Qeveria Kurti. Rryma 100%. Tatimi në pronë 100%. Çmimet 50% Pagat 1.5%”, shkroi Hykmete Bajrami.
As pa tallje kjo ‘reformë’ nuk kaloi. Gazetari Valon Syla përdrodhi gjuhën në urime: “Yrime o Populli i Albin Kurtit. Yrime te gjithve. Yrime shtetit.Yrime Yshtria. Yrime YÇK. Bre dreqi ju hongt, po të lodhët jeni.Nginu Vetëvendosje”.
Ish-diplomati kosovar Avni Arifi me sarkazëm u shpreh u “o ndaleni dorën o gjiganda”.
“€6.8 zbritje nga tatimi. Kjo rritje e pagës në VV sigurtë quhet e arritur GJIGANTE”, tha ai.
Gazetari Imer Mushkolaj përdori slloganin e Vetëvendosjes “Erdhi dita” për rritjen e pagës gjashtë euro e 80 cent. “Erdhi dita. Urime krejtve!”.
Çka tha Hekuran Murati?
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, përfundimisht hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade. Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”, shkroi Murati.
“Pra, me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro (nga 80 sa ishte). Me fjalë tjera, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”, përfundoi Murati.