4.5 milionë për një vit: VV i dha 95 mijë euro KOHËS dhe mbi 13 mijë euro Jeton Sopës të KosovaNews-it
Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar mbi 4.5 milionë euro gjatë vitit 2025, duke regjistruar një rritje prej gati trefish krahasuar me vitin paraprak.
Pavarësisht se kishte të hyra prej mbi 2.1 milionë eurosh, subjekti në pushtet ka mbyllur vitin me një deficit prej 2.3 milionë eurosh, duke tejkaluar ndjeshëm shpenzimet e partive të tjera parlamentare.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve u ndanë për media të caktuara.
Sipas të dhënave të publikuara, për Grupin “Koha” u dhanë plot 95 mijë euro.
Për “Kosovanews”-in e Jeton Sopës u ndan hiç më pak se 13 mijë euro.
Gjithashtu, 5 mijë euro u dhanë për portalin “Telegrafi”. Përveç mediave, shuma prej 25 mijë eurosh i janë paguar kompanisë së sondazheve “UBO Consulting”, e cila më parë ishte shënjestruar nga vetë kryeministri Albin Kurti.
Një nga shpenzimet që bie në sy në raportin financiar të Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2025 është pagesa prej 14 mijë e 460 eurove për “Gate Club SH.P.K.”, shumë që lidhet me organizimin e një takimi me të rinjtë.
Kjo shumë hedh dritë mbi kostot e mëdha të aktiviteteve publike të partisë Vetëvendosje të Albin Kurtit, në një vit kur kjo parti ka regjistruar shpenzime rekord prej mbi 4.5 milionë eurosh.