37 ditë në pritje: Qeveria nuk ndan buxhet shtesë për zgjedhjet lokale, KQZ-ja “arnohet” me mjetet e mbetura - NACIONALE

37 ditë në pritje: Qeveria nuk ndan buxhet shtesë për zgjedhjet lokale, KQZ-ja “arnohet” me mjetet e mbetura

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria në detyrë ka injoruar në mënyrë të paprecedent kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e buxhetit shtesë për zgjedhjet lokale.

Ndonëse kanë kaluar mbi një muaj kur KQZ-ja i ka kërkuar qeverisë buxhet shtesë prej 6.5 milionë eurosh për organizimin e zgjedhjeve të 12 tetorit, kabinetin qeveritar i udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka ndërmarr asnjë veprim në këtë drejtim.

Nga mesi i qershorit, kur KQZ-ja ka kërkuar buxhetin shtesë, Qeveria ka mbajtur disa mbledhje, por në asnjërën prej tyre nuk është parë e arsyeshme që të trajtohet kjo kërkesë.

Gazetës Nacionale ka mësuar se deri me tani Qeveria Kurti nuk i ka kthyer asnjë përgjigje KQZ-së.

Përballë mungesës së fondeve, Sekretariati i KQZ-së është detyruar të rishikojë buxhetin dhe të shfrytëzojë mjetet e pashpenzuara nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për të mbuluar një pjesë të nevojave.

Gjithashtu, gazeta ka mësuar se në mungesë të buxhetit nuk përjashtohet mundësia e reduktimit të stafit apo reduktimi i muajve të angazhimit të tyre për organizimin e zgjedhjeve të 12 tetorit.

Të njëjtat burime kanë treguar se nga mjete të pashpenzuara, Sekretariati ka arritur që të sigurojë mbulimin e një pjesë që ishte e nevojshme si buxhet shtesë.

Vonesat në këtë rishikim kanë vënë në pikëpyetje realizimin në kohë të disa prej operacioneve zgjedhore.

Mosndarja e mjeteve shtesë nga qeveria ka shqetësuar anëtarët e partive politike në KQZ.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka vlerësuar se kjo përbën papërgjegjësi instucionale.

Ditë më parë, ai ka vlerësuar se në këtë mënyrë po rrezikohet disa operacione të rëndësishme zgjedhore.

Sot janë bërë plot 30 ditë që nga momenti kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka adresuar një kërkesë zyrtare për buxhet shtesë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, në funksion të organizimit të Zgjedhjeve Lokale 2025. Por fatkeqësisht, edhe pas një muaji të plotë, Qeveria nuk ka kthyer asnjë përgjigje, ndonëse kjo përbën jo vetëm një papërgjegjësi institucionale, por edhe shkelje të detyrimit ligjor të përcaktuar në Nenin 113 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku thuhet qartë: ‘Qeveria e Kosovës financon mbajtjen e zgjedhjeve’.”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që ekzekutivi të injoroi kërkesën e KQZ-së për buxhet shtesë.

Kjo është një situatë e paprecedentë për KQZ-në, asnjëherë më parë në historinë e proceseve zgjedhore në Kosovë nuk ka ndodhur që një kërkesë për buxhet të injorohet në këtë mënyrë, duke rrezikuar drejtpërdrejt organizimin e zgjedhjeve dhe besimin publik në procesin demokratik”, ka vlerësuar ai.

Në mbledhjen e sotme, e cila do të mbahen nga ora 10:30, KQZ-ja pritet të miratojë rishikimin buxhetor për vitin 2025. Ky hap po ndërmerret 37 ditë pas kërkesës fillestare për buxhet shtesë.

Lajme të ngjashme