"30% e serbëve në Kosovë ikën në 10 vitet e fundit": Çka do të ndodh me komunitetin serb pas heqjes së vizave?
Kosova e bëri një hap të madh drejt liberalizimit të vizave javën e kaluar kur Këshilli i BE-së miratoi Plotësim-Ndryshimin e Rregullores 2018/1806. Megjithëse ka edhe hapa tjerë në këtë proces të stërzgjatur, kosovarët pritet të udhëtojnë pa viza prej 1 janarit 2024. Por, çka me komunitetin serb të vendit tonë?
Ashtu si të gjitha shqiptarët dhe pakicat tjera, edhe serbët e kishin të pamundur që të udhëtonin pa viza në vendet e Zonës Schengen. Përfshirë, edhe ata që kishin pasaporta të Republikës së Serbisë. Ndërkohë, duhet kujtuar që Serbisë i ishin liberalizuar vizat qysh në vitin 2009.
Problemi i tyre është se Beogradi nuk e lëshon të njëjtën pasaportë për ta, ashtu si për qytetarët e tjerë të vendeve tjera në Serbi. Prej tash e tutje, diçka duhet të ndryshojë, siç vëren edhe analisti Ognjen Gogiq i kontaktuar nga gazeta Nacionale.
“Ndoshta Serbia do të nis së lëshuari pasaporta të rregullta,” – tha ai.

Por, megjithëse një gjë e tillë mbetet e paqartë, ajo që është e qartë është se nëse qytetarët serbë pajisen me pasaporta të Kosovës dhe Kosova përfundimisht e fiton të drejtën e lëvizjes së lirë, atëherë natyrshëm edhe ata do të udhëtojnë lirshëm.
A ka probleme në këtë aspekt?
Këshilltarja politike në Ministrinë Për Kthim dhe Komunitete të Qeverisë Kurti, Rada Trajkoviq, e ka përmendur në shumë raste çështjen e ikjes së serbëve të Kosovës nga Kosova.
Një kritikë të tillë ajo e shprehu edhe ndaj Kurtit e edhe ndaj Vuçiqit para më shumë se një jave kur theksoi se ky mund të ishte edhe “plan i përbashkët” i tyre.
“As ai dhe as Kurti nuk bëjnë përpjekje për ta ndaluar këtë gjë (ikjen masive të serbëve nga Kosova). Kam frikë se plani është t’i lëmë që të shkojnë. Dhe pa serbët, nuk ka arsye për Asociacion.” – u shpreh mes tjerash znj. Trajkoviq.
Nacionale kontaktoi edhe me Aleksandër Arsenijeviqin, kryetarin e “Mbijetesës Serbe”, një partie politike serbe nga Kosova që njihet për kundërshtimet e ashpra ndaj Listës Serbe.
Ai u shpreh se pozicioni i qytetarëve serbë dhe mirëqenia e tyre në Kosovë ishte në gjendje shumë të rënduar, për të përmendur më pas shifrat e frikshme të emigracionit.
“Duhet marrë parasysh shkallën tashmë të madhe të emigracionit të serbëve, që shkon në 30 për qind të popullësisë në 10 vitet e fundit, apo afër 40 mijë vetë,” – potencon ai.
Arsenijeviq shton se kjo vetëm sa pritet të rritet me liberalizimin e vizave.
“Unë besoj që serbët, si një komunitet i rrezikuar në Kosovë, bashkë me shqiptarët dhe grupet e tjera etnike, do ta gjejnë parajsën e tyre diku larg në Evropë, ku do të jenë të barabartë dhe jashtë ndikimit të politikave të këqija në jetën e tyre.” – shprehet ai për Nacionalen.
Politikani i ri serb nga Kosova beson që në fakt ka pasur punë që të mbërrihej liberalizimi i vizave në mënyrë që pastaj të forcohej ekonomia përmes remitencave.
“Ky trend ka ngulmuar, dhe në Kosovë do të mbetet vetëm ekonomia e makiatos, disa kompanive të ndërtimit dhe autolarjeve që do t’i shërbejnë diasporës kur të kthehen në Kosovë. Është për keqardhje që liberalizimi i vizave nuk do t’i shërbejë shpërndarjes së prodhimit, që s’ekziston në Kosovë, por vetëm si rrugë e sigurt për të mos u kthyer më,” – vazhdoi z. Arsenijeviq.

