"3 vite të humbura në plotni": Abdixhiku akuzon pushtetin për "delir popullist" në mungesë të projekteve madhore
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar pushtetin për mungesën e arritjeve dhe projekteve madhore që, sipas tij, karakterizuan vendin në të tri vitet e fundit. Sanksionet, mosnjohjet e reja dhe mungesa e anëtarësimeve janë vetëm disa nga dështimet që sipas Abdixikut kanë ndodhur si pasojë e keqqeverisjes së pushtetit aktual.
Përmes një reagimi në Facebook, kreu i KDK-së ka theksuar se, megjithëse ka pasuar njohje të pasaportave, vendi ka dështuar në tërheqjen e njohjeve të reja nga vende të tjera ndërkombëtare.
“Me njohje pasaportash por asnjë njohje të re në tre vjet. Njohja e fundit ishte nga Izraeli, 3 vite më parë; pa ta! Asnjë njohje, asnjë anëtarësim! Sanksione e mbi 300 milion euro humbje nga ky izolim!” – ka shkruar Abdixhiku.
Një tjetër çështje e ngritur nga Abdixhiku ka qenë ajo e marrëveshjes me kompaninë 'ELEKTROSEVERI', e cila është në pronësi të shtetit të Serbisë. Ai ka kujtuar se për 7 vite, Vetëvendosje kundërshtoi me protesta një marrëveshje të tillë.
“Mburren me mbledhjen e faturave në veri nga ‘ELEKTROSEVERI’, kompani në pronësi të shtetit të Serbisë. Ka mbi 7 vite që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje madje dhe me protestë. Sot marrëveshjen e njëjtë e trumpetojnë si histori.” – ka thënë i pari i LDK-së.
Kryetari i LDK kujtoi vitin 2016 kur, sipas tij, partia në pushtet pengoi procesin e liberalizimit të vizave përmes "dhunës"
“Mburren me liberalizim, proces që e kishin ndërprerë me dhunë qysh në vitin 2016. Asokohe, Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia ishin në një paketë. 7 vite të humbura për një kauzë që e kanë harruar tashmë. I thonë demarkacion.” – ka thënë ai.
Në fund, Abdixhiku ka akuzuar pushtetin aktual se në mungesë të projekteve madhore, të arritjeve kapitale dhe forcimit të shtetësisë ndërkombëtare, i ka humbur 3 vjet shtetit të Kosovës.
"Këto 3 vite janë të humbura në plotni. Pa projekte madhore, pa arritje kapitale, pa forcim të shtetësisë ndërkombëtarisht." - tha ai.