20 organizata e aktivistë: RTK vonon dokumentin publik që kërkuam, sot i drejtohemi Agjencisë për Informim
Drejtoresha ekzekutive e “Lëvizja Fol”, Megi Demolli- Nimani, ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga RTK-ja për përbërjen e Komisionin për raportimin skandaloz kundër Nacionales. FOL ka kërkuar nga RTK-ja edhe afatin për dërgimin e raportit final për këtë rast. Ndërkohë, kanë kalur 17 ditë që ende nuk ka përfunduar raporti qysh ende nuk ka ndonjë masë.
Demolli-Nimani ka kritikuar RTK-në për mungesë të transparencës teksa ka bërë të ditur se do të ankohen në Agjenicën për Informim dhe Privatësi.
“Sot bëhen 8 ditë prej kur kemi dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike në RTK në lidhje me përbërjen e Komisionit Profesional për rastin e raportimit dezinformues në lajmet qendrore, dhe afatin për dërgimin e raportit nga ana e tyre, por nuk kemi marrë ende përgjigje.”
“Kjo vonesë për të adresuar pyetje kaq të thjeshta, tregon mjaft për nivelin e transparencës së këtij transmetuesi publik. Sot do të përcillet edhe Ankesa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Më tej, ajo ka kritikuar Bordin e RTK-së për lëshime dhe lejimin e pushteti për të ndërhyrje në RTK.
Drejoresha e FOL, ka thënë se Bordit duhet të japë dorëheqje nga pozita e tyre.
“Bordi i RTK-së, duke bërë lëshime të njëpasnjëshme, ka lejuar ndërhyrjen e pushtetit në transmetuesin publik. Për këtë arsye, bordi nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar mandatin e tyre dhe duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre. Siç edhe e kemi thënë në reagimin tonë se formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.”
“Por ne nuk do të harrojmë...” – ka paralajmëruar ajo.
Ndërkaq, në reagimin e 20 organizatave dhe aktivistëve për skandalin e RTK-së ishte kërkuar dorëheqja e Bordit.
Gjithashtu, nuk ishte përkrahur formimi i Komisionit nga RTK-ja për të hetuar raportimin skandaloz për shkak se “është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.”
“Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të "keqardhjes" për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të "sqaruar situatën" duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si “kontravers” dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë.” – thuhej në reagimin e tyre.
Ndërkohë, Nacionale nga burimet e veta të afërta me këto zhvillime, ka mësuar se Komisioni i krijuar në RTK për ta hetuar këtë situatë, tashmë është në finalizim të raportit.
Sipas burimeve të Nacionales, komisioni ka konstatuar se në portalin e RTK-së ka pasur editime dhe modifikime, ku janë hequr emrat e dy mediave për të cilat kishte akuza të rënda.
Kësisoj, nëse ky raport mbetet kështu, atëherë përgënjeshtëron pretendimin e Rilind Gërvallës, drejtorit të TV-së se televizioni publik nuk i kishte përmendur me emra mediat.