2 vjet margjinalizim nga Kurti: Për çka mbahet mend Vjosa Osmani si presidente në dyvjetorin e mandatit? - NACIONALE

2 vjet margjinalizim nga Kurti: Për çka mbahet mend Vjosa Osmani si presidente në dyvjetorin e mandatit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 4 prill 2021, Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit. Por, prej atëherë në vend se shkëlqimi i saj politik të rritej, u zvogëlua ndoshta pakthyeshëm. Pse u margjinalizua Vjosa Osmani politikisht?

300 mijë e 756 qytetarë të Kosovës kishin votuar për Osmanin në zgjedhjet 14 shkurtit të 2021-s, megjithëse ajo mbante numrin 2 në listën e Vetëvendosjes edhe në mungesë të Albin Kurtit.

Pas këtij rezultati mahnitës zgjedhor, ajo vendosi të synonte karrigen e presidentes dhe ia doli më pak se dy muaj më vonë, në seancën e 4 prillit 2021.

Kanë kaluar dy vjet prej që znj. Osmani mori detyrën e presidentes, por shkëlqimi i saj politik ka rënë e ka rënë vazhdimisht si pasojë e një varg heshtjesh për zhvillime shumë të rëndësishme politike.

Dialogu

Natyrisht, pozita e presidentes vetiu ia mohonte Osmanit të ushtronte aktivizmin politik që e kishte bërë të njohur: përplasje me liderët e fuqishëm që dominonin skenën politike. Mungesa e Hashim Thaçit në skenën politike ishte shumë e rëndë për presidenten. Por, një element tjetër që e bëri të njohur për keq përgjatë këtyre dy viteve ishte mungesa e guximit për t’i dalë kundër kryeministrit Albin Kurti.

Megjithëse në të kaluarën presidentët e vendit kishin pasur rol të rëndësishëm në procesin e dialogut, duket se znj. Osmani vendosi të ishte gati krejtësisht munguese.

Dhe për më keq, ajo së fundi ka dhënë disa deklarata që mund të shenjojnë edhe mungesë informimi për këtë çështje kaq të rëndësishme.

Në një deklaratë nga Presidentja Osmani për gazetën Nacionale thuhej që “Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive...” ndërkohë që më vonë bashkëpunëtorja e saj Donika Gërvalla ishte shprehur kësisoji: “E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë,”

Presidentja e vendit ende nuk ka dhënë shpjegimet e saj se si Kosova e humbi mundësinë që të arrinte marrëveshje finale me Serbinë me njohje reciproke në qendër.

Çështjet e brendshme

Për fat të keq, presidentja e vendit ka qëndruar e heshtur edhe në kohën e varfërimit të madh të qytetarëve për shkak të inflacionit. Natyrisht, nga ajo nuk pritej të bënte deklarata politike por të paktën deklarata solidariteti me qytetarët më të prekur.

Së fundi, qytetarëve të Kosovës iu rrit çmimi i rrymës duke i rënduar edhe më shumë. Zyra e Presidentes në komentet e bëra ku kërkonte të mos ndodhte një gjë e tillë linte të kuptohej se ishin të vetëdijshëm për shkallën e lartë të inflacionit dhe pasojat që po shkaktonte te qytetarët. Megjithatë, ndoshta duke u frikësuar se mund të lëndonte diskursin qeveritar, presidentja në publik nuk është dhënë pas kësaj çështjeje.

Serbët e Kosovës

Presidentja e Kosovës me të drejtë ka dënuar ashpër rolin destruktiv të Serbisë në dialog dhe në rajon. Por fatkeqësisht, ajo duket se nuk ka arritur që ta kuptojë mirëfilli se përfaqëson të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë serbët lokalë.

Osmani madje edhe ishte qortuar nga ambasadori gjerman Jorn Rohde për një gjë të tillë. Politologu serb nga Kosova, Ognjen Gogiq, i kishte thënë këto fjalë vitin e kaluar për të njëjtën çështje:

““E trishtë për t’u thënë por raporti mes znj. Osmani dhe komuniteteve jo-shumicë në Kosovë është thuajse jo-ekzistent. Veçanërisht jo me komunitetin serb. Për dallim nga presidentja, Kurti bën dallimin mes Serbisë dhe Beogradit zyrtar në njërën anë, dhe serbëve të Kosovës në tjetrën. Znj. Osmani nuk pranon ekzistencën e serbëve në Kosovë. Znj. Osmani kurrë nuk iu ka adresuar serbëve të Kosovës, kurrë nuk ka bërë ndonjë zotim për ta, e as nuk i ka përmendur fare,” – ishte shprehur ai.

Çka tjetër?

Presidentja Osmani fatkeqësisht kishte marrë vëmendje mediale për çështje të cilat nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimin politik të vendit.

Ajo kishte kryer të paktën dy intervenime kirurgjike që ishin mediatizuar gjerësisht, njërin në Turqi për zvogëlim të lukthit dhe një tjetër për heqjen e tëmthit.

Për fat të keq, Osmani mori vëmendje edhe pas sulmeve brutale që i kishte bërë Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu ndaj medieve e madje edhe shefi i stafit të saj, z. Blerim Vela. E për fat edhe më të keq, ajo mori vëmendje edhe pasi tezakja e saj u bë drejtoreshë në ministrinë e drejtuar nga Faton Peci por edhe kur i vëllai i saj, Ramadani, u punësua në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Lajme të ngjashme