168 milionë euro importe nga Serbia në vetëm 10 muaj
“Marrëdhënia e re, e gjithsesi shumë e vjetër, që po na imponohet – ‘Tregtia e Lirë’ midis nesh dhe Serbisë, vendit që nuk na njeh as të drejtën për të ekzistuar – është e dëmshme dhe e gabuar.” Kështu deklaronin nga Vetëvendosje në vitin 2011. Mbi një dekadë më vonë, e njëjta parti që dikur ngrinte barrikada në rrugë, tash e trumpeton si “sukses” uljen relative në përqindje të importit të energjisë nga Serbia, duke e krahasuar atë me qeveritë paraardhëse. Megjithatë, pasqyra e plotë e shifrave të importit, ajo që nuk mund të manipulohet me përqindje të izoluara, vulos pamohueshëm dështimin e një prej kauzave kryesore të kësaj partie. Të dhënat zyrtare për periudhën janar–tetor 2025 raportojnë një vlerë prej 192.8 milionë eurosh import nga Serbia, rikthim masiv krahasuar me vitet e fundit.
Për të kuptuar përmasën e këtij "pushtimi" të ri tregtar, mjafton të krahasohet e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Doganës, brenda periudhës Janar–Tetor 2024, totali i vlerës së mallrave nga Serbia ishte 91 milionë e 706 mijë Ndërsa në vitin 2025, vlera e mallrave gjatë së njëjtës periudhë u rrit për 110.29 për qind, duke arritur në 192.8 milionë. Pra, vlera është më shumë se dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
| Periudha | Viti 2024 Janar–Tetor |
Viti 2025 Janar–Tetor |
Ndryshimi në vlerë | Rritja (%) |
|---|---|---|---|---|
| VLERA E MALLRAVE nga “SERBIA” | 91,706,828.21 | 192,847,217.66 | 101,140,389.45 | 110.29% |
Në fillim të 2024, importet mujore nga Serbia ishin relativisht të ulëta dhe të qëndrueshme, me një mesatare rreth 8 milionë euro në muaj. Në vitin 2025, vërehet një rritje drastike, ku vetëm në muajin gusht importet arritën në 22.7 milionë euro, shifra më e lartë mujore e regjistruar për këtë periudhë.
Pjesa më e madhe e rritjes vjen nga produktet ushqimore (pije freskuese, biskota, vaj ushqimor) dhe ato bujqësore (grurë, misër). Për shembull, importi i pijeve freskuese dhe ëmbëlsirave ka shënuar rritje të ndjeshme.
Rikthimi i madh i produkteve serbe – nga "Plazmat" te materialet ndërtimore – nuk ndodhi rastësisht. Ajo ka një datë të saktë rikthimi: 7 Tetor 2024. Kjo datë shënon momentin kur ish-Kryeministri Albin Kurti largoi ndalesën e mallrave serbe në pikën kufitare të Merdares. Që nga ai vendim iu hap rruga vërshimit masiv të mallrave nga ky shtet.
Për më tepër, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi tregtinë e jashtme (2021-2024) e përgënjeshtrojnë plotësisht narrativën e suksesit ekonomik të shpallur nga Kurti, sipas të cilit Kosova po kalonte në një epokë të re eksportesh nën udhëheqjen e tij.
Deficiti tregtar kumulativ i Kosovës në katër vitet e fundit arrin 19 miliardë euro. Jo thjesht një statistikë, por një përgënjeshtrim brutal i suksesit të shumëtrumbetuar nga kreu i qeverisë.
Bilanci tregtar, që tregon diferencën mes vlerës së produkteve të eksportuara dhe atyre të importuara, pasqyron një trend të frikshëm: me eksportet që ndonëse paten një rritje impresive në vitin 2022, mbeten të zbehta në vitet pasuese. Importet në anën tjetër, u rriten eksponencialisht.