16 vjetori i pavarësisë e gjen në pikëpyetje partneritetin e Kosovës me aleatët - NACIONALE

16 vjetori i pavarësisë e gjen në pikëpyetje partneritetin e Kosovës me aleatët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot u shënua përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Derisa mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian ka qenë imperativ në rrugën drejt pavarësisë dhe forcimit të shtetësisë, 16-vjetori e gjeti në pikëpyetje partneritetin mes Kosovës dhe aleatëve të saj.

Vitet e fundit, marrëdhëniet mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë kanë hasur në sfida të mëdha. Marrëdhëniet mes qeverisë Kurti dhe aleatëve shënuan një përkeqësim të ndjeshëm gjatë vitit 2023, duke kulmuar me masat e marra nga Bashkimi Evropian, me pasoja ekonomike për vendin.

Madje, në maj të vitit të kaluar, stërvitja më e madhe ndërkombëtare – Defender Europe 2024 – në rajonin e Ballkanit do të përfundonte brenda pak ditësh për Kosovën.

Një nga ngjarjet kyçe që kontribuoi në krisjen e marrëdhënieve mes qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ishte mosdëgjimi i këshillave paraprake lidhur me vendosjen e kryetarëve të komunave në komunat veriore të Kosovës.

Edhe pse në fund të vitit të kaluar Kosova mori një mbështetje të madhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, mbështetja ndërkombëtare për Kosovën nuk zgjati shumë.

Një rregullore e re e Bankës Qendrore përkeqësoi sërish marrëdhëniet me aleatët.

Nihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’brien, ka shprehur shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me këtë vendim në një intervistë për Zërin e Amerikës.

O’Brien theksoi nevojën që Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, të tërhiqet nga vendimi për ndalimin e dinarit serb.

Ai argumentoi se zbatimi i vendimit ishte bërë pa paralajmërim duke “ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike”.

Nihmës-sekretari shtoi se kjo sjellje nuk përmbush standardet e qeverisjes efektive dhe tregon paaftësinë për t'i shërbyer qytetarëve dhe për të ruajtur partneritetin me aleatët.

“Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin.” – tha ai.

Madje, O’Brien deklaroi se “nëse ne [ShBA] nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Lajme të ngjashme