15 qershor vs 27 shkurt: A ranë poshtë katër propozime të Kurtit në planin evropian?
Ishte 15 qershor i vitit 2022, kur kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësin e tij, do të zhvillonte një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe ministrin e Jashtëm serb, Nikola Selakvoviq. Tetë muaj më vonë, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një plan evropian për normalizim të marrëdhënieve, por aty nuk gjejnë vend katër propozime të shefit të qeverisë sonë. Çka kishte propozuar ai?
Përparim i madh po konsiderohet si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë për një plan për normalizimin e marrëdhënieve.
10 pikat e këtij plani, që tashmë janë bërë publike, do t’i lexoni më poshtë në këtë tekst, por fillimisht, le t’i kujtojmë katër propozime të kryeministrit Kurti.
A ranë poshtë katër propozimet?
Në qershor të vitit që lamë pas, Kurti e Vuçiq me nga dy pjesëtarë të delegacioneve të tyre, kishin takuar kryediplomatin evropian, Josep Borell dhe emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.
Pas takimit, Kurti kishte publikuar katër propozime që i kishte bërë, e që sot, asnjëra prej tyre nuk është konkretisht pjesë e marrëveshjes që pritet të nënshkruhet.
Pika e parë e propozuar nga Kurti, fliste për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të avansojnë CEFTA-n në SEFTA.
“Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.” – shkruante ai.
Kjo pikë, nuk ndodhet në planin evropian.
Propozimi i dytë i Kurtit, kërkonte që Kosova e Serbia të nënshkruajnë marrëveshje të paqes, duke u zotuar që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetren.
“Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.” – thuhej mes tjerash në këtë pikë.
Në fakt, neni 3 i planit evropian përmend se palët, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, “do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”.
Pika e tretë, dhe ndër më të rëndësishmet…Kurti përmendte njohjen reciproke, e cila siç u mor vesh së fundi, nuk ka qenë ndonjëherë qëllim i planit evropian.
Aty, Kurti fliste edhe për Këshill Nacional të Serbëve, derisa në planin evropian, potencohet qartë se palët duhet të implementojnë marrëveshjet e nënshkruara, rrjedhimisht, edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.” – deklaronte Kurti.
Në pjesën e fundit të propozimit të tij, Kurti përmendte të pagjeturit dhe të zhdukurit me dhunë gjatë luftës.
“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.” – shkruante ai.
Por, rreshti i trete i tekstit që të propozimit evropian të cilin palët pritet ta nënshkruajnë mes tjerash thotë edhe “të përkushtuar për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”.

11 pikat e propozimit evropian
Neni 1
Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut. , dhe mosdiskriminimi.
Neni 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.
Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme. fusha nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.
Neni 7
Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse.
Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Neni 9
Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.
Neni 10
Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.
Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.
Neni 11
Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje.

