14 ditë = 14 vjet: A po 'flirton' Albin Kurti me Thaçin e Veselin në Hagë?
A po bëhen Hashim Thaçi me Kadri Veselin nga "vijë e kuqe" në "vija kuq e zi" për Albin Kurtin?
Përgjatë pesëmbëdhjetë ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë dy deklarata të çuditshme të cilat nuk përputhen me deklaratat e dhëna në pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Dhe Albin Kurti ka folur shuuumë përgjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve.
Bëhet fjalë për deklaratat që në mënyrë direkte përflasin Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Të tjerët, për momentin, nuk po na interesojnë.
Në një deklaratë për La Repubblica-n italiane, kryeministri u shpreh befasisht dashamirës.
“Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh në burg politikanë të lartë të Kosovës që luftuan për liri”, tha ai.
Por, Kurti ishte shprehur dashamirës edhe gjatë Epopesë së UÇK-së, më 5 mars, kur po ashtu e kishte quajtur të padrejtë gjykatën ndërkombëtare të Hagës.
“Është e pamundur të mos e përmend që kur kujtojmë një prej heroizmave më të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Hamëz e Adem Jasharit që mbahen në burg, pikërisht për këtë luftë, për narrativen që e kemi ndërtuar me gjak e Serbia dëshiron ta rindërtojë me gënjeshtra”, kishte thënë kryeministri në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.
Por, veterani numër 60-mijë-e-një i UÇK-së, Albin Kurti, kishte pasur një të kaluar pesëmbëdhjetë vjeçare me deklarata të ndryshme sulmuese e kundër-sulmuese ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Shkrimi “Shko Hashim” që i kërkonte presidentit të asokohshëm të Kosovës, Hashim Thaçit, të dorëzohej e të shkonte në Hagë, ishte ndër të fundit në vazhdën e deklaratave sulmuese nga z. Kurti.
Shumë pak e dinë, por raporti problematik i Kurtit me Thaçin kishte nisur me arsye mjaft të përçudshme.
Po mbahej varrimi i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, në janarin e ftohtë të vitit 2006.
Vetëvendosje e Kurtit kishte vetëm një vit që ishte hapur. Hashim Thaçi ishte lider i një opozite që kishte vuajtur mungesën e pushtetit dhe mungesën e ndonjë pozite vendim-marrëse prej që ishte hapur si parti.
Por, Thaçi do të ‘mëkatonte’ rëndë edhe si opozitar, gjithnjë sipas Vetëvendosjes së asaj kohe. Ai pranoi të merrte pjesë në varrimin e presidentit të ndjerë – i cili konsiderohej si kolaboracionist.
“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gurë të fillosh të shpërndash.” – shkruhej në reagimin e Vetëvendosjes më 2006, me titullin “Gjaku i humbur” që tashmë është hequr nga sajti zyrtar.
Pas ardhjes së Hashim Thaçit në pushtet, në vitin 2008, Vetëvendosje do të shtonte përpjekjet që të fitonte popullaritet për t’u bërë parti politike. Dhe, në vitin 2010 edhe ia dolën mbanë. Prej atëherë, akuzat ndaj Thaçit ishin të shpeshta e të shumta por kishin të bënin me korrupsionin dhe dialogun me Serbinë.
Vetëvendosje dhe Kurti kundërshtonin fillimisht madje edhe mundësinë që statusi i Kosovës të negociohej me Serbinë përmes parullës “Jo Negociata, Vetëvendosje!” duke i vënë etiketën e tradhtarit secilit që e bënte një gjë të tillë.
Fatit të ngjitjes së etiketës së tradhtarit nuk i shpëtuan as liderë të tjerë të UÇK-së që po ashtu e njihnin rëndësinë e negociatave në Bruksel.
Raportet mes Kurtit e Thaçit, Vetëvendosjes dhe PDK-së, ishin acaruar aq shumë sa vendi nisi të prodhonte bllokada të vazhdueshme institucionale që rridhnin nga tensione të mëdha politike. Zgjedhjet e qershorit të vitit 2014 e lanë vendin në bllokadë politike deri në fund të atij viti, për shkak të barrikadimit të Kurtit kundër PDK-së së Thaçit që kishte dalë e para. Kurti kishte bërë koalicion me LDK-në, AAK-në dhe Nisman. PDK-ja madje shihej si e keqja kulmore, duke mos qenë e barazueshme as me këto tri parti politike.
Sidoqoftë, pas largimit të Thaçit dhe Veselit nga politika kosovare, marrëdhëniet e Vetëvendosjes me PDK-në duken më të shtendosura dhe kjo u reflektua edhe përmes bashkëpunimeve që formua në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Ndërkohë, PDK-ja është kritikuar nga analistë se nuk ka qenë e zëshme mjaftueshëm ndaj Kurtit gjatë këtyre dy viteve si parti opozitare.
Se cila do të jetë e ardhmja e raporteve të këtyre dy partive mbetet të shihet në muajt në vazhdim.