13 zyrtarët e arrestuar për subvencione morën rroga gati 40 mijë euro deri tash
Fillimisht u arrestuan 12 persona në shkurtin e vitit 2021. E aksioni për dallaveret me subvencione vazhdoi edhe pak muaj më pas. 21 persona të tjerë u arrestuan në korrik të vitit të kaluar. Aksioni në rastin “Subvencioni” vazhdoi edhe në dhjetor, ku u arrestuan 31 persona të tjerë. Prej gjithë këtyre, 13 ishin zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, një pjesë zyrtarë komunalë, e të tjerët fermerë, në të shumtën e rasteve aplikues për subvencione.
Një pjesë prej gjithë këtyre që u arrestuan, u liruan në procedurë të rregullt si dëshmitarë bashkëpunues. Pjesa më e madhe e të liruarve, dolën të ishin fermerët. E ata që mbanin funksione publike, varësisht nga koha e arrestimit për muaj me radhë qëndruan në paraburgim, kurse disa në arrest shtëpiak. Pavarësisht kësaj, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë u paguan me 50% të pagës. Kjo përkundër se të gjithë u pezulluan nga puna, e gjatë kësaj kohe ishin në burg ose arrest shtëpiak.
Madje, nga të dhënat që ka siguruar gazeta Nacionale nga Ministria e Bujqësisë në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, del se shuma e paguar për këta zyrtarë të përfshirë në aferën e dallavereve me Subvencioneve nuk ka qenë e vogël. Në total janë ndarë gati 40 mijë euro. Megjithatë, një pjesë e tyre nuk do të paguhen më. Por, t’i shkojmë me radhë.
Sa u paguan saktësisht?
Dy janë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që janë të akuzuar për dallaveret me subvencione. Të dytë, pak para arrestimit ishin transferuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujëqsisë. Kurse, pas nisjes së procedurave ndaj tyre dhe arrestimit, Ministria kishte marrë vendim t’i pezullojë nga puna me 50% të pagës. Deri më tash, për këta të dy zyrtarë të dyshuar për aferën e Subvencioneve, MBPZHR ka paguar saktësisht 4 mijë e 416 euro. Megjithatë, që nga muaji prill i vitit 2022 ata nuk do të paguhen nga buxheti i shtetit.
“Ndaj këtyre zyrtarëve, MBPZhR-ja duke u bazuar në Njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda dhe Vendimin e Komisionit Disiplinor, kishte marrë vendim për pezullimin e përkohshëm nga marrëdhënia e punës në Shërbimin Civil të Kosovës me 50% të pagës deri në marrjen e një vendimi tjetër. Meqenëse rasti ka pasur të bëjë më AZhB, pas pranimit të opinionit ligjor nga Departamenti i Menaxhimit të Zyrtarëve Publik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, këta zyrtarë që nga muaji prill i vitit 2022 do të jenë pa pagesë (mbesin në listën e pagave, por nuk do të paguhen) dhe kjo masë do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata. E gjithë kjo është bërë me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë dhe rendit brenda institucionit. MBPZhR-ja për të dy këta zyrtarë ka paguar 4,416.96 Euro (bruto) në kuadër të pagës prej 50 për qind”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë për gazetën Nacionale.
33 mijë e 802 euro janë paguar për 11 zyrtarë tjerë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, të cilët janë të akuzuar po për dallavere me Subvencione. Kurse, për periudhë e pezullimit, Ministria ka kërkuar:
“Vlen të ritheksojmë se arrestimet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore dhe deri më tani ata gjithsej janë paguar në total 33,802.30 euro (bruto). Meqenëse arrestimet kanë ndodhur në periudha të ndryshme, kemi kërkuar opinion ligjor nga Departamenti i Menaxhimit të Zyrtarëve Publik në Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me komentimin e Ligjit për Zyrtarët Publik me qëllim të sigurisë ligjore në shqiptimin e masës, saktësisht lidhur me afatet e pezullimeve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për gazetën Nacionale.
Gjithë këto mjete, u dhanë bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publikë. Megjithatë, Sindikatat në vazhdimësi kanë alarmuar për kushtet e punës në sektorin privat. Ata punojnë shpesh me orë shtesë jashtë orarit të punës, një ditë pushim, e me pushime vjetore të reduktuara. Paga minimale në Kosovë llogaritet të jetë 170 euro.
Çfarë thotë Ligji?
Pagesa në këtë formë është e përcaktuar me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Në nenin 58 të këtij ligji, janë paraparë efektet e pezullimit në raste të caktuara, me 50% të pagës.
“Nëpunësi civil gjatë periudhës së pezullimit nuk përfiton pagë, me përjashtim në rastin e përcaktuar në paragrafin 1.1 të nenit 56, në rast se procedura përfundon pa një masë disiplinore dhe në rastin e përcaktuar në paragrafin 1.7 të nenit 56, nëpunësi përfiton 50 për qind të pagës së plotë, duke përjashtuar çdo lloj shtese në pagë për një periudhë pezullimi deri në 6 muaj”, thuhet në Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Dallaveret me Subvencione – për çfarë dyshohen?
Tashmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, qëndron një aktakuzë në rastin Subvencionet 1. Gjykimi pritet të fillojë së shpejti, përderisa të akuzuarit kryesorë si të përfshirë në zinxhirin e dallavereve me subvencione janë liruar. Gazeta Nacionale kishte raportuar për detajet e Gjykatës Supreme, për lirimin e Luan Statovcit, Salih Statovcit, Sadat Shkodrës, Berat Nikës, Hasan Maxharrajt, Kushtrim Zogajt e Pajtim Krasniqit.
Gazeta Nacionale në dy seri shkrimesh ka hulumtuar akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarit për manipulim me Subvencione. Mbi 650 mijë euro është shuma me të cilën është dëmtuar buxheti i Kosovës, nga të cilat mbi 300 mijë i kanë përfituar zyrtarët publikë.
Disa nga kryesorët në gjithë këtë zinxhir të dallavereve, janë pikërisht personat që u liruan nga paraburgimi me vendim të Supremes, përfshirë Luan Statovcin si drejtor për pagesa në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Salih Statovci - vëllai i Luanit që ka ndihmuar në gjithë këtë aferë, Sadat Shkodrën si zyrtar për pagesa në AZHB, Berat Nika gjithashtu zyrtar për pagesa, e Hasan Maxharraj e Kushtrim Zogaj si zyrtarë komunalë në Istog.
“Në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme, AZHB ekzekuton pagesat në dy këste dhe Fuat Morina pranon në llogarinë e tij bankare pjesën e parë shumën 54,760.00€. Më pastaj me datë 06.11.2020 ia dorëzon Salih Statovcit ryshfetin në shumë 27,380.00€. Më vonë me datë 02.02.2021 Morina pranon pjesën e dytë të pagesës në vlerë 54,760.00€, dhe me datë 17.02.2020, Fuat Morina dhe Kastriot Berisha takohen me Salih Statovcin. Kur dalin jashtë, shkojnë në veturën BMW dhe Fuat Morina ia dorëzon të pandehurit Salih Statovci pjesën e dytë, shumën 27,380.00€, ndërsa për vete i ndal gjithsej 51,000.00€”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë. Vetëm në këtë rast, buxheti i Kosovës u dëmtua në vlerë 110 mijë euro.
Aktakuza në këtë rast është kthyer për plotësim tek Prokuroria, dhe së shpejti pritet që të akuzuarit të dalin para gjykatës.
Raportimet e Nacionales për dallaveret me Subvencione:
Si u vodhën mijëra euro duke bërë dallavere me tokat e mbjella me grurë?
“600 euro certifikata”, “shkelje jam tu kry dije” – Përgjimet që dëshmojnë dallaveret me subvencione