100 eurot e Kurtit: Masat që i ndërmorën kryeministrat fqinjë në 2022 - NACIONALE

100 eurot e Kurtit: Masat që i ndërmorën kryeministrat fqinjë në 2022

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kriza i rritjes se çmimeve që ka prekur vendet në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij vitit ka nxitur qeveritë kombëtare të ndërmarrin masa të caktuar në lehtësim të jetës së qytetarëve.

Një ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka publikuar pakon e re të ndihmave ekonomike, e cila do të mbështesë qytetarët e Kosovës, në vlerë prej 100 milionë eurove. Kjo ndihmë e qeverisë Kurti, do të përfshijë kategori të ndryshme shoqërore, duke filluar nga qytetarët që marrin ndihma sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit privat dhe publik, studentët dhe familjet me nevoja më të theksuara.

Sipas skemës së ndihmave të publikuar sot, kategoria e parë që do të ndihmohet janë familjet që gjenden në ndihmë shoqërore, të cilave do t’u dyfishohet asistenca për muajin prill. Ngjashëm, me nga 100 euro do të përfitojnë 300 mijë punëtorë të sektorit privat dhe 80 mijë të sektorit publik.

Po ashtu, me nga 100 euro do të subvencionohen të gjithë 80 mijë studentët, pa dallim. Si masë e fundit, edhe 40 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë. Gjithsej, në bazë të llogaritjeve qeveritare, afërsisht 800 mijë qytetarë do të përfitojnë nga kjo pako.

Pas publikim të kësaj pakoje, kryeministri Albin Kurti ka treguar se nga muaji korrik 2021 e deri më sot, qeveria e tij ka ndarë 300 milionë euro për mbi 740 mijë përfitues të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ai ka thënë se rritjen e ekonomisë qeveria po e shpërndan për rritje të mirëqenies së qytetarëve, duke e ndërtuar kështu shtetin social.

“Kësisoj, 100 milionë euro shtesë do të ndajmë në muajt në vijim mbi ndarjet e deritanishme të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e rreth 800 mijë qytetarëve. Konsumoni produkte vendore sepse asisoj forcohet zinxhiri i ekonomisë dhe punësimit në Kosovë. Merrni kuponat fiskalë sa herë që paguani kudo, meqë taksat e kontributet tuaja ne jua kthejmë me rishpërndarje”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Subjektet politike opozitare e kanë kritikuar këtë pako të ndihmës nga qeveria, duke e konsideruar si lëmoshë.

Me situatën ekonomike, ku çmimet e produkteve bazike janë rritur, është vështirësuar dukshëm jeta e qytetarëve. Më herët, qeveria kishte marrë vendim për subvencionim të faturës së energjisë elektrike për një pjesë të qytetarëve, dhe kishte miratuar një pako për mbështetjen e bujqve.

Masa më efikase kanë ndërmarrë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria

Për shkak të krizës ekonomike, edhe qeveritë e vendeve të rajonin kanë ndërmarrë masa të caktuara ekonomike për të lehtësuar jetën e qytetarëve të tyre.

Ndryshe nga qeveria e Kosovës, vendet e rajonit kanë qenë më efikase në këtë aspekt, duke ofruar lehtësi më të mëdha për qytetarët.

Afërsisht një muaj më herët, qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndërmori një hap të ngjashëm, duke miratuar një pako plot 400 milionë euroshe, për zbutjen e pasojave të krizës.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski, kishte deklaruar se sfidat në përballjen e kësaj krize do të janë të mëdha.

“Kriza e pandemisë, së bashku me agresionin rus kundër Ukrainës, kanë shkaktuar rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, përballë së cilës nuk mund të rrimë duarkryq”, kishte deklaruar ai.

Sipas tij, ky vit do të mund të përballohej me politika dhe masa ekonomikisht të mira.

Një tipar interesant që kjo pako e rimëkëmbjes e përmban, është heqja e plotë e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për ushqimet bazë dhe uljen e TVSH-së dhe akcizës për karburante. Kësisoj, Maqedonia e Veriut vendosi që të marrë masa mbrojtëse në ulje të tatimit të produkteve si buka, sheqeri, mielli i llojit 400, vaj luledielli, qumështi, mishi i freskët, orizi, vezët si dhe bono në vlerë 1.000 denarë për kategori të cenueshme shoqërore.

Një pako të ndihmave ekonomike, e ka hartuar edhe Shqipëria.

Madje, shteti shqiptar atë e ka emërtuar pakoja e ‘rezistencës shoqërore’. Kjo pako përfshin një mori masash, nga zbritja në zero e tatimit në pagë për qytetarët të cilët paguhen deri në 40 mijë lekë në muaj, deri te përpjekja për të indeksuar pensionet në raport me çmimet e rritura, nëpërmjet një ndihme 3.3 miliard lekeshe.

Në këtë pako të rezistencës përfshihen edhe 500 milionë lekë kompensim të rritjes së çmimeve të transportit publik, dhe 28 miliardë lekë për mbulim të çmimit të energjisë elektrike, tanimë të rritur drastikisht.

Krejt në fund, kjo pako liron nga tatimi në naftë fermerët dhe punëtorët e bujqësisë, në vlerën e 1.45 miliardë lekë.

Ndërsa pakoja e qeverisë kroate kufizohej në temën e energjisë elektrike. Duke krahasuar me qeveritë e rajonit, Kroacia veproi shpejtazi, duke nxjerr një pako të ndihmave ekonomike në fushën e energjisë, në vlerë prej 637 milionë eurove, e cila, në përmbajtje ka një lirim prej TVSH në vlerë prej 279 milionë eurosh dhe 159 milionë euro pagesa të faturave të energjisë elektrike dhe gazit. Ndërsa kjo pako, zgjerohet deri te kategoritë si bujqit dhe peshkatarët, të cilët do të përfitojnë 32 milionë euro.

Nga qeveritë në rajon, ndryshe veproi ajo e Malit të Zi. E zhytur në diskutimet për koalicionin qeveritar të ri, u mjaftua me vetëm një amandament të ligjit ekzistues mbi taksën akcizë, duke zbritur taksimin në karburante për 40 % nga niveli ekzistues.

Lajme të ngjashme