1.56 milionë euro gjobë ndaj MTS-së serbe në Kosovë, shkelën Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës
Në fillim të muajit gusht Agjencioni për Regjistrimin e Biznezeseve (ARBK) që është në kuadër të Ministrisë, Industrisë dhe Tregtisë dhe Ndërmarësisë (MINT) i kishte hequr licensën e biznesit kompanisë MTS d.o.o që është degë e “Telekom Serbia” me arsyetimin se “një anëtar i menaxhmentit të kompanisë ka pasaport të lëshuar nga Republika e Serbisë” – rast ky që nuk kishte përfunduar në favor të autoriteteve të Kosovës; e ku licensa i ishte kthyer sërish.
Por, tash të njëjtës kompani serbe që operon në Kosovë si pasojë e marrëveshje në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK) i ka shqiptuar gjobë në shumiën 1.56 milionë euro duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
AKRK njofon se MTS. d.o.o ka shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës duke blerë 100% të aksioneve të ndërmarrjeve VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International.
“Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës njofton opinionin se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, më saktësisht në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka marrë vendim që Ndërmarrjes MTS d.o.o Dega në Kosovë t’i shqiptohet masa e sanksionit administrativ-gjoba në shumë prej 1,563,959.26 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë euro e njëzetë e gjashtë cent)".
"AKRK njofton se Ndërmarrja MTS d.o.o ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100% të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International”, thuhet në vendim të AKRK-së.