Shoqata e Naftëtarëve i dërgon letër Kurtit: Po falimentojmë, përmbushi kërkesat ose i mbyllim pompat - NACIONALE

Shoqata e Naftëtarëve i dërgon letër Kurtit: Po falimentojmë, përmbushi kërkesat ose i mbyllim pompat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbledhja e rëndësishme e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, tashmë ka përfunduar. E pas takimit, ata kanë mbajtur një konference për media, ku treguan detaje nga ajo çfarë u diskutua në mbledhjen që zgjati më shumë se dy orë.

Siç ka raportuar Gazeta Nacionale, mbyllja e pompave dhe kërkesa për të hequr akcizën, ishin ndër temat kryesore, të cilat Shoqata i ka diskutuar këtë të hënë.

Ata kanë përgatitur edhe një reagim, të cilin ia kanë dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Në këtë reagim thuhet se naftëtarët janë kundër vendimeve arbitrate që kanë për qëllim dëmtimin e industrisë së naftës dhe jo mbrojtjen e konsumatorit.

“Qeveria, nëse me të vërtetë është e interesuar të mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe BE-së, nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH-së për produktet e naftës”, thuhet në reagim.

Tutje, aty theksohet se për shkak të inflacionit të përgjithshëm, industria e naftës është duke u përballur me rritje enorme të kostove, përfshirë pagat, normat e interesit, shpenzimet e mirëmbajtjes, etj.

Në letër thuhet se Shoqata është informuar për propozim-vendimin e ri të Qeverisë për kufizimin e marzhës pa asnjë analizë të impaktit të vendimit të parë dhe pa asnjë justifikim të arsyeshmërisë së propozim-vendimit të ri, duke detyruar që kompanitë sërish të punojnë me humbje. Madje, ata kanë treguar se për pasojë, shumë kompani po falimentojnë.

Madje, Shoqata ka listuar edhe kërkesat e tyre, duke thënë se duhet të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë që ka mbretëruar në 22 vitet e fundit.

Nëse kërkesa e mësipërme nuk merret parasysh nga Qeveria, atëherë kërkesat tona janë që minimalisht marzhat të caktohen si më poshtë, kjo duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale:

  • Shitja me shumicë 3%
  • Shitja me pakicë 12%”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Në këtë letër, theksohet se nëse nuk merren parasysh kërkesat e shtruara, atëherë Shoqata paralajmëron mbylljen e pikave të derivateve në tërë tërritorin deri në reflektim të Qeverisë.

E kjo, sipas tyre, bëhet që të shmanget falimentimi.

Ndryshe, një nga naftëtarët pjesëmarrës në këtë mbledhje, i tha Gazetës Nacionale se ka muaj që po punon me humbje.

“Që tre muaj kemi punu me humbje. Qeveria ose duhet akcizën, ose TVSH-në me e hekë. Nese nuk reflektojnë, ne do t’i mbyllim pompat. Nuk shkon kështu.”

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nëpërmjet një projektligji, po synon që ta kufizojë fitimin e naftëtarëve.

Në bazë të projektligjit tashmë të draftuar, MINT po planifikon të kufizojë fitimin në 2-3 centë për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për shitësit me pakicë.

Ndërkaq, për subjektet joimportuese, fitimi për shitje me pakicë parashihet të jetë 10 centë për litër.

Ndërkohë, 1.82 euro ishte çmimi i litrës së naftës të mërkurën në Kosovë. Ky çmim pësoi ndryshim ditëve të fundit, me arsyen se në tregun ndërkombëtar ka rritje të çmimeve.

Heqja e akcizës ishte parë si zgjidhje për stabilizimin e ngritjes së çmimit të naftës para disa muajsh. Por, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk kishte pohuar se do ta aplikojnë një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme