Enver Sekiraqa dënohet me 25 vjet burg për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës - NACIONALE

Enver Sekiraqa dënohet me 25 vjet burg për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Enver Sekiraqa është dënuar me 25 vjet burg.

Vendimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Sekiraqës iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak, dhe u kthye në burg.

Sekiraqa u dënua për nxitje në vrasje të ish-policit, Triumf Riza.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg,

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Në seancën e fundit, Prokuroria kërkoi dënimin e Sekiraqës kurse avokatja lirimin.

Prokurori Çerkini, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se gjatë administrimit të provave është vërtetuar se Sekiraqa ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke shtuar ndër të tjera që i akuzuari ishte udhëheqës i grupit që urdhëroi vrasjen e Rizës.

“Enver Sekirqa ishte udhëheqës i grupit që kishte urdhëruar vrasjen e të ndjerit Triumf Riza”, tha prokurori Çerkini.

Kurse, avokatja Kelmendi gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare kërkoi drejtësi nga trupi gjykues, duke kërkuar aktgjykim lirues në këtë çështje dhe refuzim të aktakuzës.

Sipas Kelmendit, nuk ka asnjë provë që i akuzuari Sekiraqa ka nxitur vrasjen e tani të ndjerit Riza.

“Nuk ka asnjë provë të vetme që Enver Sekiraqa ka nxitur vrasjen e të ndjerit Triumf Riza”, tha avokatja Kelmendi.

Lajme të ngjashme