BE s’beson te marrëveshja finale deri më 2024? I vazhdohet mandati për 18 muaj Lajçakut  - NACIONALE

BE s’beson te marrëveshja finale deri më 2024? I vazhdohet mandati për 18 muaj Lajçakut 

1 vit më parë

nga NACIONALE

Miroslav Lajçakut do t’i zgjatet mandati si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar që diplomatit sllovak të vazhdojë këtë punë deri në vitin 2024.

Njoftimin e këtij pajtimi e ka shpërndarë Radio Evropa e Lirë, ku nga burime të tyre kanë mësuar se Lajçak dhe ekipi i tij do jenë në këtë pozitë deri më 18 prill 2024.

Në këtë shkrim thuhet se asnjë prej shteteve nuk ka qenë kundër zgjatjes së mandatit për ish-ministrin e jashtëm të Sllovakisë. Mirëpo, pakënaqësi për mungesë të rezultateve janë shprehur.

Por, a nënkupton kjo zgjatje mandati për Lajçakun edhe pritje që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të mos arrihet deri në atë kohë?

Shtetet e BE-së, dhe jo vetëm, kanë bërë thirrje të vazhdueshme që Kosova dhe Serbia të merren vesh sa më shpejt dhe të nënshkruajnë marrëveshje gjithëpërfshirëse ku në fund do të përfshihej edhe njohja reciproke mes dy shteteve. Këto thirrje janë rritur sidomos pas invazionit rus në Ukrainë më 24 shkurt të këtij viti.

Mirëpo, takimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë shkuar mirë, dhe përplasjet e mospajtimet e kanë qenë të dukshme.

Bile, edhe takimi i ditës së nesërme në Bruksel, ku është paraparë të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për energji, si dhe mundësinë për nënshkrimin e një deklarate për të pagjeturit.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do arrihet nën mandatin e tij si kryeministër i vendit.

‘‘Unë nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë, por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, (Joe) Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë’’, thoshte kryeministri Kurti në nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, po ashtu, shtonte se vullneti i palës kosovare është që kjo marrëveshje të nënshkruhet sa më parë. Mirëpo, ai theksonte se e gjitha varet nga vullneti e gatishmëria e Serbisë për të bërë një hap të tillë.

Edhe thirrjet e zyrtarëve të BE-së kanë qenë që sa më parë të arrihet marrëveshja e plotë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe në fund të bëhet njohja reciproke mes tyre. Edhe zyrtarë të ShBA-ve kanë bërë thirrje dy shteteve që sa më parë të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.

Vet Miroslav Lajçak kishte deklaruar në shkur të këtij viti se edhe kryeministri Kurti, edhe presidenti Aleksandër Vuçiq janë të gatshëm dhe janë të përkushtuar për dialogun mes dy shteteve.

Përderisa ai vizitonte Prishtinën, së bashku me të dërguarin e ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, Lajçak thoshte se dëshiron përparim në procesin e një marrëveshjeje ‘‘ligjërisht obliguese’’. Përderisa Lajçak shtonte se është optimis se kjo do arrihet.

Nërkohë edhe ShBA-të përkrahnin qëndrimin e Lajçak.

I dërguari i posaçëm i ShBA-ve, Gabriel Eskobar thoshte se çdo marrëveshje e arritur mes dy shteteve do të mbështetet financiarisht, politikisht e teknikisht.

Lajme të ngjashme