Psikologia Brikena Krasniqi tregon se pse shumica e rasteve të abuzimeve seksuale janë të heshtura
Pika e dobët e çdo prindi janë fëmijët. Pothuajse gjatë gjithë kohës ata shqetësohen për fëmijet e tyre, natyrisht që siguria, vazhdon të jetë prioritet i të gjithë prindërve. E ngacmimet me karakter seksual ndaj fëmijëve, vazdhojnë të jenë shqetësimi kryesor.
Në emisionn TOK, të gazetares Donika Gashi kësaj radhe e ftuar ishte Brikena Krasniqi Hoti, psikologe. U diskutua për abuzimet seksuale ndaj fëmijëve si dhe për traumat që i përcjell ata fëmijë gjatë gjithë jetës.
Po çka ngërthen në vete abuzimi seksual ?
"Termi abuzim seksual është një term pak më i gjerë, që përfshinë edhe ngacmimin seksual që nënkupton p.sh përdorimin e fjalëve fyese, fjalëve me natyrë seksuale të papërshtatshme ndaj një personi, kundër dëshirës së tij. Përfshijnë edhe sjelljet e papërshtatshme; prekjet, shkeljet e kufirit në raport me afërsinë ndaj një personi tjetër, po përfshinë edhe dhunimin seksual", tha psikologia.
Ajo thotë se numri i raportimeve mbi rastet e abuzimeve seksuale nuk është numër i saktë. Sipas saj shumica e rasteve heshten.
"Për shkak të stigmës, për shkak të frikës e gjykimit nga opinioni më i gjerë publik. Për shkak të frikës së familjes e gjithçka që kjo temë e ndjeshme ngërthen në vete. Besoj që numrat që raportohen tek ne, numri më i madh përfaqëson rastet e ngacmimeve seksuale në komunitetet e margjinalizuara. Ndërkohë që kjo ndodh edhe në popullatën shumicë. Me gjithë ato që di për këtë temë edhe në vendet tjera, është një numër i nënraportuar nuk është një numër i saktë".