Gazetarët hahen keq për "It's my home": Ata që e këqyrin dhe qeshin, t'i thonë vetes në pasqyrë "fashist"
Episodi i tetë i Podkastit “Përleshje” solli një diskutim goxha të nxehtë për një “reality show” e që po komentohet shumë, e i cili u ndalua së transmetuari në televizion megjithëse po then rekorde shikueshmërie. Mes sekuencave të dhunës mes banorëve, teorive konspirative që fliten aty dhe gjykimit publik, “It’s my home” është temë e diskutimit në këtë episod që diskuton dy kënde: a është i rrezkishëm vendimi për ndalimin e transmetimit të tij, dhe a është ky emision një “realitet” i shumicës së kosovarëve.
Kryeredaktori i Nacionales, Jetlir Buja, mbron mendimin se vendimi për ndalimin e këtij “reality show” është një vendim i mirë jo për arsyen se duhet të ndalohet liria e shprehjes por që ajo që ndodhë aty është një skenar i tmerrshëm që ka qëllim eksploatimin e njerëzve që nuk janë të gatshëm të përballen me atë që ofron ky lloj formati i spektaklit, teksa redaktori i podkastave në Nacionale, Vullnet Krasniqi kundërargumenton se një vendim për ndaljen e transmetimit krijon një precedent të rrezikshëm në botën mediatike kosovare.
Krasniqi mbron banorët e shtëpisë duke i quajtur ata viktima të një fushate të gjatë të konspiracioneve të lejuara pikërisht nga mediat, të cilat asnjëherë nuk u ndëshkuan e as nuk u ndaluan të transmetojnë teori të tjera.
Buja nuk kupton se për çfarë arsyesh Krasniqi po fliste për konspiracione në këtë episod, gjë që e detyron të shpërthejë në fund.
Të dy argumentojnë me njëri-tjetrin nëse ajo që shpërfaqet në këtë format televiziv është diçka që duhet lejuar apo duhet shikuar më në detaje sesi është krijuar, por ndahen tepër keq kur fillojnë të diskutojnë nëse ata janë një realitet i shumicës së kosovarëve apo janë të përzgjedhur për tu përdorur për qëllime përfitimi. Dëgjoni diskutimin për të kuptuar dy kënde të ndryshme për një format që ka marrë vëmendjen në mënyrën më të çuditshme dhe na komentoni mendimin tuaj.