7 marsi: Pse mësimdhënësit dikur 'edukonin' me dhunë dhe si ndryshoi kjo?
Sot është 7 marsi, festa e mësuesit. Kujtojmë se më 7 mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.
Çdo vit, kur shënohet kjo ditë në shkolla ka shumë gjallëri, nxënësit me buqeta lulesh në dorë, kartolina e dhurata për mësimdhënësit e tyre.
Por, po të dëgjosh rrëfimet e gjeneratave më të vjetra, tregojnë për traumat e fitaura në shkollë si pasojë e dhunës fizike nga mësimdhënësit. Ani pse prindërit e nxënësve kanë qenë në dijeni, kanë pasur shumë “respekt” për mësuesit.
Ka pasur raste kur fëmijët e asaj kohe, nuk kanë guxuar të tregojnë në shtëpi që janë rrahur nga mësuesi, sepse edhe "një rend" ua kanë dhënë edhe prindërit.
Ndërsa sot, gjithçka është ndryshe. Mësimdhënësit nuk guxojnë të ushtrojnë dhunë fizike tek nxënësit e tyre. Prindërit u dalin në mbrojtje fëmijëve dhe nëse ka raste të tilla reagojnë menjëherë.
"Kanë menduar që dhuna fizike është një mënyrë e mirë e të mbajturit në kontrollë të njerëzve dhe shtimit të motivimit të nxënësve për të mësuar. Rrahja, natyrisht që nuk ka qenë forma e duhur për të edukur gjeneratat sepse çdo sjellje ose çdo dënim fizik në këto raste len shenja në zhvillimin e njerëzve, gjeneratave. Ka prodhuar gjenerata më të dhunshme, njerëz që e kanë pasur një potencial më të madh për të shfaqur sjellje agresive pastaj”, tha psikologu Dorjan Krasniqi për Podcast Nacionale.
Por, pse ka ndryshuar kjo? A i bie që gjeneratat e kaluara kanë qenë të paedukuara? A kanë menduar që vetëm dhuna sjell përmirësim? Pse më herët është ushtruar dhunë edhe në shkollë edhe në shtëpi?
Dëgjone podcastin e radhës me psikologun Dorjan Krasniqi: