VVampirizëm mbi Mitrovicën – të vërteta e iluzione
Col MEHMETI
Nëse ndryshimi në veri të Kosovës do të ishte prej së vërteti, ai nuk do të trazohej nga çfarëdo trazicioni i pushtetit lokal.
Por, ndryshimi atje ka qenë asgjëmangut pos një hologram, një realitet iluziv, i cili zhdavaritet sapo fiket projektori reflektues.
Zatën, regjimi i Albin Kurtit këtë frikë e makth e ka.
Sovraniteti i atjeshëm është aq fiktiv, aq i brishtë e aq jolëndor.
Nëse regjimi rrah gjoks se po lidh brigje përmes urash, ai sidoqoftë kurrë nuk pati këllqe që tubimet zgjedhore të partisë t’i mbante në sheshin pak metra tej urës – madje këtë nuk pati zemër ta bënte as kur e inxhineroi fitoren e kandidatit të vet.
VV-ja bën kujdes andej e këndej urës, por kurrë nuk e merr me sy rrezikun. Faruk Mujkat, Erden Atiqat e Agim Bahtirat nuk duan të jenë të testuarit e parë në eksperiment.
VV-së i bëhet qejfi vetëm kur të krisurit, nafakzinjtë e vullnetarët nga mërgata kërcejnë nga urat nën cytjet e iluzionit të një çlirimi e sovraniteti të hiçtë.
A thua përse?
‘Çlirimi’ është një narracion bosh që, për arsye të caktuara, u shit me çmim okazion kundrejt një shoqërie në prag të vetëvrasjes kolektive.
Kur u shpall mëvetësia e Kosovës si projekt serioz kombëtar, me dorëzani të fortë perëndimore, ajo nuk u zhbë as nga përpjekjet e Serbisë e as nga ato të Rusisë.
Ajo e mbijetoi edhe sprovën në aeropagun e madh siç qe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe me legjitimitet të palëkundur moral hovte drejt të mbërrimesh historike me njohje të reja e anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
Kurse, sovranizmi i një regjimi VVampirësh ishte veçse një projekt i dëshpëruar mbijetese.
Fukaraja moti do të kapitullonte mendërisht nëse atij nuk do t’i shërbeheshin vakte me krenari kallpe sovraniste e me flamuj qesharakë mburrjesh.
Regjimi, ç’është e vërteta, kishte zero aftësi që ta mbrothësonte jetën me arritje në ekonomi, arsim e shëndetësi.
Barkzbraztëve iu tha që të shihnin atje tej, kufijtë, flamujt e armiqtë demek të shpartalluar.
Duke mos pasur asfarë mbështetje nga Perëndimi, ky ‘sovranitet’ rrezikon të eksplodojë nga ora në orë e nga minuti në minutë.
Regjimi VVampiresk as që do të dënjonte të harxhonte frymë, makar të bënte investime a përpjekje, për një copë analfabeti funksional e një hiçi të madh si Faton Peci.
Në mars të këtij viti, ky provincial i vogël me krenari në hava i kërkonte shefit të tij që ta bënte zëvendëskryeministër në qeverinë që mendohej se do të pasonte zgjedhjet e 9 shkurtit. Asgjë e re në këtë mes: një barbar province ka vetëbesim prej të marri sa mendon që e ka dynjanë në grusht.
I neveritur nga kjo pacipësi, siç tregojnë sypamësit oborrtarë, Albin Kurti i ishte ngërmuar me britma: “Çfarë zëvendëskryeministri, bre, ti me gjithë këto aktakuza që i ki? Kandido qatje në Mitrovicë e nuk na ban telashe…”
Ideja ishte fort e qartë.
Gara në Mitrovicë pandehej, me të drejtë, aq e pabarabartë dhe aq e shpërpjestimtë sa barbari provincial do t’i thyente keq turinjtë e nuk do ta ngrinte më bishtin….
Por, gjendja ndryshoi kur regjimi e kuptoi se në Mitrovicë partia kishte një bazë të dobët, oh sa të dobët, dhe me një PDK shtatanike shumë nga përrallat sovraniste do të zhvleftësoheshin atypëraty.
Regjimi, kuptohet, ka forcë e epërsi shpërpjestimore mbi kundërshtarët politikë, dhe vjedhjet perfide në procesin zgjedhor ishin veçse paralajmërim për një të ardhme të afërt.
Sa më i dobët regjimi, aq më shumë diabolizëm, manipulime e dallavare.
Humbësja e vetme këtu është vetëm rinia ‘revolucionare’ në Kosovë e cila, me mbështetje qorre, mënt sa nuk flijohet për regjimin e për Kurtët, Pecët, Gërvallët e Sveçlat.