Vuçiqi, 'dashuria' toksike që nuk po e lejon Ramën as të festojë! - NACIONALE

Vuçiqi, 'dashuria' toksike që nuk po e lejon Ramën as të festojë!

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Vite më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama, jo shumë i dashur për popullin e Kosovës të mësuar me Sali Berishen, shpejt arriti të zë vendin e tij edhe tek ne. Takimet e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe qëndrimi i tij i atëhershëm në mbrojtje të Kosovës dhe pavarësisë së saj bëri që ai të fitojë një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve.

Kujtojmë se në vizitën e tij të parë në Beograd në vitin 2014, të cilësuar si historike, Rama e vuri në siklet Vuçiqin duke folur për statusin e Kosovës. E kjo gjë i ekzaltoi të gjithë. Atëkohë dukej sikur më në fund një lider shqiptar ishte aq i guximshëm sa t’i shkojë Vuçiqit në shtëpi e t’ia përplasë disa të vërteta në fytyrë.

Një marrëdhënie e tillë e acaruar Rama-Vuçiq vazhdoi edhe për disa vite. Në takimet mes të dyve - jo të rralla - dukej se Vuçiq filloi të ndjente një lloj konkurrence, aq sa mediat krah tij nisën të kapen edhe me këpucët e Ramës, që e bënin të dukej më i gjatë se ai.

Megjithatë, diku ndodhi një krisje dhe Rama ndryshoi narrativë. Ndoshta nga takimet e shpeshta me Vuçiqin, nisën të lindin edhe disa ndjenja më speciale që sot e kanë sjellë Ramën në një gjendje ku lëre se kur flet për Kosovën ka një kujdes të shtuar, por duket se në mënyrë që mos t'ia lëndojë ndjenjat presidentit serb, ai më as nuk feston me Kosovën.

Në botërorin 2018, në sfidën Zvicër-Serbi ku pjesë e ekipit të parë ishin disa djem nga Kosova, menjëherë pas fitores së Zvicrës, Rama tregoi po të njëjtin entuziazëm si çdo shqiptar tjetër. Ai publikoi fotografitë e dy lojtarëve nga Kosova, Xhaka e Shaqiri, teksa bënin shqiponjën dykrenare me duar - simbol që përfaqëson përkatësinë etnike shqiptare.

Një gjë e tillë, patjetër që u pa si provokim nga Serbia, por Ramës nuk është se i bëri shumë përshtypje, për më tepër pasi Xhaka e Shaqiri u gjobitën për festimet e tyre me shqiponjë, kryeministri shqiptar doli me iniciativën “Mos ki frikë nga shqiponja” ku shumë shpejt u bë grumbullimi i fondeve për mbulimin e gjobave ndaj dy futbollistëve nga Kosova.

Megjithatë, katër vite më vonë në një përballje të ngjashme, po aq me rëndësi për shqiptarët - pasi që të jemi të sinqertë loja e Zvicrës me Serbinë po shihej më shumë si “luftë” Kosovë-Serbi, ku për fat të mirë kosovarët fituan - Rama për tre ditë nuk bëri as reagimin më të vogël, duke lënë të mendohet se më shumë i është bashkuar dhimbjes së Vuçiqit për humbjen e Serbisë.

Gjithsesi i pyetur nga gazetarët, ai më në fund foli. 'Pse te flisja, s'jam kryeminister i Zvicrës,' tha. Tani dua ta pyes po në 2018, kryeministër i Zvicrës ishe?

Përveç kësaj, Rama iu drejtua edhe të tjerëve duke thënë se, 'kush e bën këtë nuk po bën gjënë e duhur', pra, unë s'festova edhe ju që e bëtë s'duhej ta bënit, deshi të thotë.

Madje ai shtoi se është për keqardhje që dy lojtarë të Zvicrës për shkak të kombësisë po përdoren si mish për top për lojë luftrash ballkanike. Çfarë të themi, kryeministri katër vite më parë s'e kishte ndjerë këtë keqardhje. Edhe vetë ai i kishte 'përdorur' këta djem.

Pra, çfarë dhe kush ia ka ndryshuar qëndrimet kryeministrit shqiptar kaq me rrënjë, pasi duket qartë se Rama i 2022-ës, s’është më ai Rama i 2018-ës. E kaloi në heshtje si fillim, dhe si përfundim e 'dënoi' festimin e kësaj ngjarjeje nga të tjerët.

Ama, le të kujtojmë se vetëm para një viti, Rama kishte gjetë kohë e dëshirë për t’i shfaqur simpatinë e vlerësimin më të madh Sinisa Mihajlovic-it, një ish-futbollisti të kombëtares së Serbisë e të disa klubeve në Itali. Madje në mesazhin drejtuar Mihajlovic-it, të nxjerrë më vonë nga vetë ky i fundit në librin e tij, Rama i thoshte se numrin e tij e kishte marrë nga miku i tyre i përbashkët, Aleksandar Vuçiq.

Nuk është se mund të ishte shumë problem as kjo gjë, po të mos ishte Mihajlovic një person i njohur për deklaratat e tij nacionaliste në lidhje me Kosovën.

Nejse, ndërsa Rama shton miqtë serbë e distancohet nga miqtë në Kosovë, unë akoma s’e di kujt ti vë faj. Megjithëse, kujtojmë se diçka e tillë s’po ndodhte kur në krye të vendit tonë ishte Hashim Thaqi.

Ndoshta këto kohë, Rama po e gjen veten më mirë të Vuçiqi e Vuçiqi te Rama, e dimë se ata tashmë i drejtohen njëri-tjetrit me 'miku im'. Por ama, ndërsa Kosova është e njëjta, pyetja është çfarë ka ndryshuar tek 'dashuria' e madhe që kryeministri shqiptar proklamonte?

A ka interesa që i cënohen Ramës, edhe nga një mbështetje për dy djelmosha kosovarë, që po bëjnë atë që se ka bërë në dekada politika? Nëse po, çfarë interesash i cënohen atij?

Nga minishengeni me Kosovën, Rama rrëshqiti në Ballkanin e Hapur me Serbinë e pa Kosovën...

Pra, çfarë dhe kush po e mban peng kryeministrin Edi Rama, i cili e ka detyrim kushtetues interesimin e kujdesin për shqiptarët jashtë kufirit shtetëror?

Këtyre pyetjeve mund tu përgjigjet vetëm vetë ai, por deri atëherë ajo që nuk mund të mbulohet me shoshë është kjo 'dashuri' e re e tij, duke i kthyer kurrizin asaj të vjetrës e natyrales.

Lajme të ngjashme