Opinion: Vrisni hebrenj, bëjeni shtetin tuaj
Udhëheqësit e Francës, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar mendojnë se janë duke bërë një punë të mirë duke thënë se ata së shpejti do të njohin një shtet të Palestinës në Kombet e Bashkuara. Ndoshta ata duhet ta dëgjojnë përgjigjen nga Hamasi, i cili mendon se kjo njohje është shpërblim për masakrimin e hebrenjve.
Bordi Editorial i gazetës “The Wall Street Journal”
Kjo është mënyra e vetme për t’i interpretuar komentet e së shtunës nga anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Ghazi Hamad, në televizionin “Al Jazeera”. “Goditja e fuqishme që iu dha Izraelit më 7 tetor ka prodhuar tri arritje shumë të rëndësishme historike. Mbi të gjitha, e riktheu kauzën palestineze. Pse po e njohin tërë këto shtete Palestinën tani” – pyeti ai.
Pyetje e mirë. “Rezultati i përgjithshëm i 7 tetorit”, vazhdoi z. Hamad, “e detyroi botën që t’i hapë sytë para kauzës palestineze dhe të veprojë furishëm në këtë aspekt.”
Masakra si strategji politike ka qenë për një kohë të gjatë praktikë e Hamasit, por prapëseprapë është e jashtëzakonshme që ajo të dëgjohet e deklaruar me gjakftohtësi të tillë të hapur.
Tri shtetet perëndimore po kërkojnë që Izraeli të pranojë një marrëveshje armëpushimi, por Izraeli tashmë e ka pranuar atë. Hamasi e kundërshton atë. Dhe pas lajmit për njohjet, Hamasi madje nuk do të ulet as në tavolinë. Ai parapëlqen që ta pengojë shpërndarjen e ndihmave në Gaza dhe ta zvarrisë vuajtjen e civilëve, duke pasur besim se mund ta manipulojë opinionin perëndimor përmes fajësimit të Izraelit për fotografitë e urisë që i përdor për të ushtruar ndikim mbi Perëndimin naiv. Ju lumtë, të gjithëve.
Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja i bëjnë thirrje Hamasit që të demilitarizohet, por z. Hamad në televizionin “Al Jazeera” e shpalli mallkim këtë. “Armët e përbëjnë kauzën palestineze” – tha ai. “Dorëzimi i armëve tona e nënkupton fundin e rezistencës dhe fundin e kauzës palestineze.”
Ky është z. Hamad i njëjtë që pak javë pas 7 tetorit tha: “Ne do ta bëjmë këtë përsëri e përsëri.” Me më pak publicitet por po aq tregues ishte shpjegimi i tij. “Ne jemi viktimat” – tha z. Hamad. “Prandaj, askush nuk duhet të na fajësojë ne për gjërat që i bëjmë. Më 7 tetor, më 10 tetor, më 1 milion tetor, gjithçka që bëjmë ne është e justifikuar.” Ndoshta z. Hamad mund të jetë ministër i Jashtëm i shtetit të ri.