Venezuela dhe “Parimet e Vetëvendosjes” - NACIONALE

Venezuela dhe “Parimet e Vetëvendosjes”

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Robert Muharremi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e mirëpriti dhe shprehu përkrahjen e qeverisë për ndërhyrjen në Venzuelë. Ai deklaroi se “Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë”. Po të kishte ardhur një reagim i tillë nga partitë të cilat vazhdimisht i kanë përkrahur politikat e ShBA-së, siç janë LDK, PDK dhe AAK, nuk do të kishte asnjë arsye për të shkruar këtë artikull. Do të ishte diçka normale. I kemi përkrahur dhe do t’i përkrahim politikat amerikane sepse na kanë çliruar dhe na e kanë bërë shtetin. Mirëpo, për vite me radhë, Albin Kurti e ka kultivuar imazhin e një intelektuali të majtë që nuk përkulet para diktatit të fuqive të mëdha dhe të një mbrojtësi të sovranitetit shtetëror dhe të vetëvendosjes së popujve. Mbështetja e tij për ndërhyrjen e SHBA-së në Venezuelë është një veprim që shfaq një oportunizëm të thellë politik dhe një shpërfillje të parimeve mbi të cilat ai ndërtoi karrierën e tij politike.

Emri i lëvizjes së tij, Vetëvendosje, nënkupton të drejtën e një populli për të vendosur për fatin e vet pa ndërhyrje të jashtme. Megjithatë, kur vjen puna te Venezuela, Kurti duket se e ka harruar këtë parim. Si mundet një lider që ka kritikuar çdo formë të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë të mbështesë ndërhyrjen e një superfuqie në punët e brendshme të një shteti tjetër? Nuk e tha as edhe një fjalë që duhet të respektohet e drejta ndërkombëtare, gjë që u theksua në deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe të liderëve të tjerë botëror. Nuk e tha as edhe një fjalë për sovranitetin e shtetit, i cili është argumenti kryesor mbi të cilin Kurti e ka mbështetur politikën e tij të veprimeve të njëanshme pa u koordinuar me vet ShBA dhe shpesh në kundërshtim me kërkesat amerikane. A është ky një standard i dyfishtë? A del që vetëvendosja dhe sovraniteti janë “llafe” politike për të marrë dhe mbajtur pushtetin, e jo parime universale morale dhe juridike?

Lëvizja Vetëvendosje është anëtare e Internacionalës Socialiste dhe në tetor të vitit të kaluar së bashku me Partinë Serbe për Liri dhe Drejtësi është bërë anëtare e asociuar e Partisë së Socialistëve Evropianë. Në rrethet intelektuale të së majtës globale, ku Albin Kurti e sheh vetën dhe shpesh mban fjalime të zjarrta, ndërhyrjet e SHBA-së në Amerikën Latine dhe në shtetet tjera shihen si politika imperialiste. Duke mbështetur ndërhyrjen në Venezuelë, Kurti duket se e ka harruar ideologjinë e majtë të cilës pretendon se i përket. Reagimi i Internacionalës Socialiste, anëtare e të cilës është Lëvizja Vetëvendosje, ishte krejt ndryshe nga reagimi i Kurtit. Ajo kërkoi që të respektohen e drejta ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së, duke theksuar se mosrespektimi i këtyre normave mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për sigurinë globale dhe rajonale. Ajo po ashtu kërkoi që situata në Venezuelë duhet të zgjidhet në mënyrë demokratike dhe paqësore duke u mbështetur në vullnetin e popullit të Venezuelës dhe respektimit të drejtave të njeriut. Pra, plotësisht ndryshe nga deklarata e liderit majtist-socialist të Kosovës, i cili sikur vrapoi për t’ia puthur këmbët Presidentit Trump duke ia bërë gjykimin Maduros si kriminel narkotik ende pa filluar gjykimi i tij. A është parimore kur një lider i majtë, i cili dikur poshtëronte opozitën për servilizëm ndaj “Amelika, Amelika”, sot del në kundërshtim të plotë qëndrimet e botës socialiste?

Fatkeqësisht, Kurti po e krijon përshtypjen se është një “majtist” dhe “sovranist” vetëm atëherë kur i duhet të kritikojë kundërshtarët e brendshëm apo të mobilizojë masat me retorikë kundër elitave apo të “luaj të fortin” kur nuk ka rrezik. Përndryshe, si mund të shpjegohet që një lider është i gatshëm të flijojë çdo ideal të majtë dhe idetë e tij politike për një buzëqeshje nga Washingtoni? Qëndrimi i Kurtit haptazi shfaq përpjekjen e tij të fitojë simpatinë amerikane duke pretentuar se mbështet ndërhyrjen në Venezuelë. Ky është një kalkulim naiv. Politika e jashtme e fuqive të mëdha nuk funksionon me “like” në rrjetet sociale apo me deklarata servile. Liderët maten me vepra e jo me fjalë. Nuk është Shtëpia e Bardhë aq naive që të besojë se Kurti, i cili në vitin 2020 haptazi kundërshtoi Presidentin Trump duke kërkuar nga diaspora shqiptare të mbështes kandidaturën e Joe Biden, tani paska rënë në dashuri me Trump. Aq më keq, a po e pranon Kurti që edhe Kosova mund të trajtohet si një lodër gjeopolitike që mund të përdoret sipas interesave të fuqive të mëdha e jo si një shtet i cili është ndërtuar mbi parimet e lirisë dhe vetvendosjes? Po ashtu, duke i dhënë mbështetje ndërhyrjes në emër të luftimit të krimit narkotik, a nuk po i jep Kurti të drejtën shteteve të tjera të ndërhyjnë edhe në Kosovë kinse për të luftuar krimin? Ku mbeten pastaj sovraniteti i Kosovës dhe vetëvendosja e popullit të saj? Nëse një lider i majtë mbështet ndërhyrjet të fuqive të mëdha në shtetet e vogla, a nuk e humb ai të drejtën morale për t'u ankuar kur të tjerët ndërhyjnë në punët e Kosovës?

Lajme të ngjashme