Vdekja e LDK'së: Fillimisht gradualisht, pastaj papritur - NACIONALE

Vdekja e LDK'së: Fillimisht gradualisht, pastaj papritur

7 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Video-editorial nga Berat Buzhala

Kjo fjali vjen nga Ernest Hemingueji, në romanin The Sun Also Rises, që shpesh përkthehet si “Dhe lind dielli”. Ai e fut si një përgjigje therëse në një bisedë fare të thjeshtë. Billi e pyet Majkun: “Qysh falimentove?” Dhe Majku i kthen shkurt: “Dy mënyra: dalëngadalë, pastaj papritmas.”

Është një përkufizim i frikshëm i rrënimeve. Sepse asnjë rrënim nuk vjen me një goditje të vetme. Vjen dita ditës, pak e nga pak, lëshim pas lëshimi, kompromis pas kompromisi, derisa një mëngjes të duket sikur gjithçka ra papritmas. Por papritmasi s’është mrekulli. Është vetëm pragu i një rënieje që ka nisë shumë më herët.

Edhe LDK-ja, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, i ka kaluar pikërisht këto dy faza. Fillimisht gradualisht, me tkurrje të identitetit, të disiplinës, të besimit, të misionit. Tash po hyn në fazën ku rrezikon me u dukë se po shkon papritur drejt shuarjes. Në të vërtetë, ky papritur është veç çasti kur publiku e sheh qartë fundin e një procesi të gjatë.

Dhe këtu vjen pjesa më e dhimbshme për me u thënë. Pa dashur me ia lëndu ndjenjat rugovistëve, rruga drejt dobësimit nuk ka nisë vetëm pas vdekjes së Rugovës. Ka nisë qysh atëherë kur LDK-ja u detyru me u shndërru prej lëvizjeje rezistence në makineri pushteti. Jo se pas luftës s’kish rol, por identiteti i saj moral e politik ishte i lidhun me rezistencën. Kur u kërku me prodhu qeverisje, u pa sa e vështirë e kishte me u mbajtë siç e kish imagjinu populli.

Sepse LDK-ja, në thelb, ka pasë kuptim sidomos gjatë periudhës së okupimit. Në momentin kur kjo parti dhe Rugova u detyruan me caktu ministra, zëvendësministra, sekretarë permanent, aty nisi vdekja e një ideali të caktuar të LDK-së, ose e asaj LDK-je që njerëzit e kishin paramendu. Disa prej emërimeve të para të bëra në atë kohë kanë qenë qesharakisht të dobëta. Jo si gabime të rastit, por si simptomë e një subjekti që s’ishte projektuar për qeverisje, por ishte e detyrume me u sjellë si parti klasike.

LDK-ja nuk është kanë e mendume për parti politike, në kuptimin e sotëm të fjalës. LDK-ja është kanë e detyrume me qenë edhe parti politike. Ajo ka lindë si nevojë popullore në fund të viteve ’80, kurse po vdes për shkak të pamundësisë me u përshtatë me shekullin XXI. Ky subjekt ka qenë përgjigje e një kohe, e jo domosdo instrument i një kohe tjetër.

LDK-ja, në fillim të saj, ka qenë subjekt më i rëndësishëm sesa vet shteti i Kosovës. Për me e akomodu LDK-në dhe atë energji shoqërore që e kishte prodhu, Rugova u detyru me e shpallë edhe një shtet paralel në fillim të viteve ’90. Ajo ishte strehë, identitet, organizim, shpresë, disciplinë. Dhe pikërisht aty qëndron edhe tragjedia. Kur një organizëm lind për me i mbijetuar shekullit XX, nuk e ka të thjeshtë me u bë mjet i shekullit XXI.

Ibrahim Rugova e ka pasë fatin e Moisiut sipas Biblës, ose të Musait sipas Kur’anit, prijësit që i priu popullit prej Egjiptit drejt Tokës së Premtuar, por vdiq pak pa mbërritë. I ngjashëm ishte fati i Rugovës. Ai i priu popullit drejt Tokës së Premtuar, por vdiq pak pa mbërritë. Kjo s’ia zvogëlon peshën historike. Përkundrazi, e bën edhe më dramatike, edhe më filmike.

Ndoshta, në kushte normale, ditën që vdiq Rugova do të duhej me vdekë edhe LDK-ja. Jo si zhdukje administrative, por si mbyllje dinjitoze e një epoke. Me u çliru skena politike, por edhe vet LDK-ja, prej barrës dhe përgjegjësisë së një misioni që s’mund ta trashëgosh si pronë.

Në vend që me ndodhë kjo, pasuesit e Rugovës e morën stafeten në dorë, me vazhdu ku e la ai. Dhe pa humbë kohë, nisën me e vra dalëngadalë këtë subjekt politik. Jo me një atentat të hapur, por me një ritual të përditshëm: me e mbajtë trupin në këmbë, ndërkohë që shpirti i del pak e nga pak.

Fillimisht u pa në Sallën e Kuqe, kur nisën me u rrahë me karrige dhe prej asaj nate dolën dy parti politike, si dy copa prej të njëjtit trup. Aty u kuptu se LDK-ja s’ishte më lëvizje. Ishte fushë beteje për trashëgimi.

Madje, për këtë zhvillim unë nuk du me fajësu as Fatmir Sejdiun, as Nexhat Dacin. Ishte normale me ndodhë çka ndodhi. Sepse LDK-ja e kishte përmbushë misionin e vet historik. Misioni i saj s’ishte qeverisja, rol që sot e kanë partitë politike. Misioni i saj ishte mbijetesa popullore, organizimi, rezistenca, identiteti. Vdekja e themeluesit veç e përshpejtoi një proces që veçse ishte në ecje.

Prej aty e tutje, LDK veç ka qenë tuj ble kohë.

Dhe derisa ajo blinte kohë, subjektet tjera politike u ushqyen prej saj. U ushqy AAK prej vitit 2004 deri në vitin 2007. U ushqy edhe PDK prej vitit 2007 deri në vitin 2010. LDK-ja s’po prodhonte gravitet për vete, po prodhonte kalorë për tjerët.

Hera e vetme kur LDK-ja pati deri diku gjasë me e thy rregullën e Heminguejit, dalëngadalë e pastaj papritmas, ishte viti 2019. Ishin shumë afër, një përqind larg me u rikriju si ide dhe si forcë, edhe atë falë Isa Mustafës, i cili u bë kryeministër pa i fitu zgjedhjet. Një paradoks që në Kosovë shpesh paguhet ma vonë.

Por ja që s’ishte e thanë.

Zhvillimet dramatike të 2020 dhe 2021 e vulosën fatin e kësaj partie. Aty u pa se kur një parti e humb instinktin e mbijetesës, s’ka zot e s’ka terapi që e shëron. Mundesh me ndërru kryetarë, me ndërru slogane, me ndërru strategji, por s’mundesh me e kthy një organizëm në jetë kur e ka humbë arsyen pse ekziston.

Prandaj, ndoshta, sevapi ma i madh është me e lanë me vdekë në qetësi. Me ia kursy poshtrimin. I ka ra hise Lumir Abdixhikut me ia dhënë gozhdën e fundit. Janë do procese historike të pakthyeshme. Mundesh me ble kohë, por s’mundesh me e kthy kohën.

A ka ardhë koha me e lon Lidhjen Demokratike të Kosovës me vdekë në qetësi? Qysh thonë, ma mirë me vdekë sesa me pa tuj hjekë, qysh është tuj hjekë.

Vdekja e kësaj partie është e dhimbshme, por mbi varrin e saj mund të lindin subjekte të reja të shekullit XXI.

Lajme të ngjashme