Trokitje në derën e Xenit - NACIONALE

Trokitje në derën e Xenit

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Kur hetues të Departamentit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda trokitën ‘bam-bam’ në derën e OJQ-istit, Shkëlzen Gashi, ata me sa duket e kishin ngatërruar disi adresën.

Në vend të një personi të rritur e një figure me gjasmë të maturuar në paraqitjet publike, ata gjetën një frikacak për gjynah.

Absurdi këtu ishte pak më ndryshe sesa tregimthi i Franz Kafkës “Trokitje në derën e feudalit”.

Në vend se të shfaqej si virtuoz i sensit qytetar dhe transparencës, OJQ-istin tonë e kishin mbuluar djersë, fytyra i ishte zverdhur dhe zemra i rrihte hovshëm.

Ai vendosi të mos bëzante e të mos e hapte derën.

Trokitja e një polici ose disa syresh zbulon sesi një numër i madh shqiptarësh kosovarë e humbin terezinë çil-e-mbyll-sytë.

Ky përfytyrim na ngjallet sikur ta kishim para syve ish-këshilltarin e Albin Kurtit kur e lexojmë letrën e tij.

Megjithëse nuk u prangos dhe nuk bujti në paraburgim, nevoja adoleshente për pak klandestinllëk e shtyu atë që të shkruante një copë letër nga ky përjetim.

Siç e kërkojnë dramat e tilla njerëzore, letra u shpërnda prej Vjene nga shoku i tij i halleve dhe idealeve, Rron Gjinovci.

Më pak për ngjarjen si ngjarje, rrëfimi i Xenit e meriton të qëmtohet për hir të implikimeve të saj subkonshienciale.

Le ta lexojmë hyrjen e letrës:

Sot rreth orës 14:30, dy persona me veshje civile filluan me trokitë në derën e banesës time në mënyrë të ashpër. Duke pasë parasysh gjuhën e urrejtjes, sharjet, ofendimet dhe sulmet verbale të këtyre ditëve, isha i bindur se dikush kishte ardhë të më sulmojë. Menjëherë kam njoftuar miq të ndryshëm, të cilët u nisën drejt banesës time e të cilët njëkohësisht e lajmronin policinë.”

Kaq mjafton për ta kuptuar se OJQ-isti ynë bashkëjeton edhe me një familjar tjetër në banesë e jashtë saj, siç është tuta konstante.

Nëse me anë të veshëve ishte në gjendje të shquante decibelë zhurmash në trokitje dere (“filluan me trokitë…në mënyrë të ashpër”), atëherë këtu puna qenka më thellë sesa që duket.

Humbja e terezisë nga cilado trokitje në derë (e ashpër, më pak e ashpër ose e butë) është shenjë e pagabueshme e një psikologjie të brendshme të bërë shoshë nga ndjesia e fajit dhe pasigurisë.

Partia, të cilën Xeni e voton dhe e mbështet zelltarisht me spin-doktorizëm, e ka kthyer terrorin virtual në përditshmëri për qindra njerëz që damkosen si armiq publikë.

Pa u shndërruar përjetimet e tyre në letra e pa pasur Rron Gjinovca që të stërdramatizohen, jeta e tyre vazhdon normale e pa fiksime a thua se një e trokitur dere do të sjellë hakmarrës e belaxhinj.

Po të kishte një trohë fortitudë mashkullore, Xeni do ta shmangte saora këtë vaki.

Ai do ta çlironte veten nga terrori i frikës që minutat i bënte orë po ta hapte derën e të merrej vesh.

Siç na e vizaton tablonë mentale para sysh, ai e paska lëshuar kushtrimin në miq e dashamirë përballë trokitësve të panjohur (“menjëherë kam njoftuar miq të ndryshëm”)

Se askush nuk i del zot fjalës dhe figurës së vet, kjo gjë dihet për pjesën më të madhe të njerëzve këtupari.

Figura e konfrontuesit në televizor a rrjete sociale është asgjëmangut pos figura e një tuci konformues jashtë tij.

Si te alegoria e shpellës te Platoni, njerëzve tanë u luhen penjtë nga hijet e reflektuara në mur, nga ajo që grekët e quanin eikasia (shëmbëllim) dhe pistis (besim) si format më primitive të kognicionit njerëzor.

Xeni që shpërfytyronte e fyente figura publike, kur e dinte se shumica ishin targete të lejuara e të kollajshme, tani ka frikë të hapë derën e shpís.

Duhen miq e dashamirë që të vijnë kallaballëk për ta çarë rrethimin.

Xeni trim siç del në hijen në mur është në të vërtetë Xeni tuc që luan pas zjarrit të shpellës.

Diçka e ngjashme ndodhi edhe gjashtë vite më parë kur ai ende ishte këshilltar i kryeministrit Kurti.

Edhe atëherë kur mori ftesë që të paraqitej në Prokurori sebet një statusi nxitës, Xeni fill e kërkoi ndihmën e protektorit të tij.

Në një shfaqje qesharake frike, bashkë me kryeministrin mbajtën konferencë për media ku e truanin ‘drejtësinë’ e kapur.

Frikacakët shpesh sulmojnë me fjalë dhe kështu të dytë, kryeministër e këshilltar, nuk ngurruan të zbulonin me emra e mbiemra policë e prokurorë për ‘padrejtësinë’ e bërë.

Në këtë mënyrë zbulohet shëmtia morale e atyre që e mbajnë monopolin e virtytit qytetar, por që janë mangut prej tij.

Sensi i një shoqërie që mishërohet me qytetërimin e demokracisë është i tillë që në mesin e sharteve të para e ka mësimin që vendimet e drejtësisë nuk komentohen, aq më pak prej pozitash publike.

Ku e lamë se na iku filli? Ah, po, rrëfimi te trokitja në derë.

Vazhdon tutje letra e Xenit e shpërndarë nga Rroni:

Me thënë të drejtën, situata m’u duk si andërr, ngase nuk mund të besoja që kjo po ndodh në shekullin XXI në vendin tim, të cilin unë e konsideroj demokracinë më të avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe me të cilin jam shumë krenar.

Nëse Kosova ka ngritur themele demokracie më të mira se rreth-e-përqarku ballkanik, atëherë shtetasit e saj nuk kanë përse të kenë ndjesinë e ëndrrës kur policë a hetues trokasin në derë.

Kanuni postmodern i shqiptarit duhet ta zëvendësojë atë të moçmin, pra të jetë derëhapur edhe kur ia behin policët.

Xeni do të donte të ishte figura e të persekutuarit sikur kjo të bëhej më lehtë e sikur të ishte më trim përballë trokitjesh.

Megjithë letrën martirizuese dhe megjithë vullnetin e një publiku që vdes për pak dramë, Xeni nuk arrin ta ndërtojë të persekutuarin.

Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se, megjithë çoroditjen e regjimit albinkurtist në injorancë të thellë, në Kosovë nuk ka as persekutues e as persekutuar.

Sepse për të pasur dramë të tillë kërkohen edhe parakushte jonormale si, bie llafi, një shtet që nuk ka fundamente mbi liritë e të drejtat e njeriut.

Shteti që e krijuan ata që ishin para albinkurtistëve është i tillë që nuk i bie askujt në qafë, prandaj ka fituar mendjen e zemrat e shumicës.

Një trokitje policësh në derën e Xenit nuk është as shtet represiv e as drejtësi hakmarrëse.

Sepse në autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, banesa e Xenit u bastis “me qëllim të sqarimit të plotë të gjendjes faktike…” ku për të njejtin rëndon dyshimi se ka konsumuar veprën penale të përçarjes dhe mosdurimit.

Mbledhja e provave, pra, nuk është as në përçartje deliresh persekutim i Xenit dhe disidencës false të tij.

Para cilido imazh që po e sajojnë miqtë e tij në media – dikush si Jezus, dikush si Martin Luther e dikush si disident – është një Shkëlzen Gash që ra keq prej provimit të profesionalizmit me librin e tij.

Ekspozita e tij me të dhëna skandaloze për disa nga masakrat në Kosovë e nxori një rob që, sipas fjalëve të Natasha Kandiqit, “nuk kupton dhe as nuk e ka dijen për të kuptuar”.

Lajme të ngjashme