Triumfi i gerontokracisë ose kur të moshuarit diktojnë jetën
Para pesë vitesh, Shqipnía ishte e para në Evropë për nga pjesëmarrja në votime e grupmoshave mbi 55 vjet. Një prirje e tillë nuk duhet të jetë trazuar as në zgjedhjet e sapombajtura, ku popullata po thinjet në terma moshorë—sot çdo i pesti njeri është mbi 65 vjeç. Para të qenit virtyt qytetar për pjesëmarrje në politikë, votimi është habitual (shprehi), dhe të moshuarit u bëjnë hyzmet më tepër se të tjerët shprehive të mësuara gjatë një jete të tërë. Së këndejmi, habitualizmi ose shkon te PS-ja, ose te PD-ja. Në një Shqipní të kërrusur e të firuar nga demografia, zor që apelojnë vizionet e një Shqipníe të përfytyruar nga të rinjtë. Në çdo rast, ajo del humbëse përballë asaj Shqipníe nga e cila pritet vetëm infuzion me skema sociale.
Col Mehmeti
Me rezultate miniskule, tri konkurencat e reja politike në Shqipní tashpërtash nuk bëjnë për vete njerëz. Kaq pak gjë kuptohet pa pasur nevojën për analiza kokëçarëse e përcjellje drobolitëse të numërimit të votave.
Rendimenti i tyre është njësoj si të bëhej ndonjë kuturisje eksperimentale me mbjellje frutash tropikalë si mango, papaja, arra kokosi, etj., e të pritej atypëraty bereqet prej tyre.
Pa ndonjëfarë shterëzimi të madh për ta rrahmendur, peizazhi i andej Drinit, edhe për një kohë, do të jetë armiqësor
për kultura të reja politike që shestohen prej të rinjsh.
Është një truall kulturor e social që sikur e paracakton që në shkretinë e vet politike të rrokaqiellëzohen vetëm dy ngrehinat paskomuniste, një PS sa një bina dhe një PD gërdallë.
Edhe dhjetëvjetëshi i ardhshëm e mbase edhe më shumë, sa kohë han ndryshimi i plotë i breznive, nuk do të ketë Shqipní Shehe, Shqipní Lape a Shqipní Qore—nëse luajmë pak me metonimi e ironi.
Por, kjo prani e paprani në rezultatet zgjedhore—e parashikuar edhe me fall kafe—nuk është as humbje e as dështim.
Humbja e dështimi aktualizohen vetëm aty ku ekziston një gjasë bukur e mirë për të lënë shenjë në hartën e madhe politike. Dëshirorja jo gjithmonë është në shoqëri të gjasës dhe mundësisë.
Partia ‘Mundësia’, koalicioni ‘Shqipëria bëhet’ apo Lëvizja Bashkë mund të kenë belbëzuar e rrokjezuar, dikush më mirë e dikush më ligsht, nevojën e kahershme të diversifikimit të politikës shqiptare me gjak të ri.
Ato kanë paralajmëruar Shqipnínë e 2040-ave, e cila afërmendsh nuk do të jetë e populluar nga një pjesë e madhe e neve dhe as nga gajlet, fiksimet dhe budallëqet tona.
Por, ende është Shqipníja e 2025-s dhe penjtë lëvizës të saj janë depozitimet shoqërore të njerëzve të lindur në tragjedinë komuniste.
Janë këto rrethana zor të ndryshueshme që paracaktojnë rezultate shumë më shumë se cilido fajtor të cilin e demaskojmë nga komoditeti i rrjeteve sociale: patronazhistë, oligarkë, kapuçonë të zinj, mafiozë, shpirtqena, etj, etj.
Fitorja e konkurencave të reja politike varet prej asaj se cila prej tyre do të ketë staminë, forcë, takat, që të qëndrojë edhe dhjetë vjet e më shumë në hapësirat e jashtme, skajore, të politikës, qoftë edhe si formacione jashtëparlamentare.
Humbja e vërtetë është vetëm kur nuk honepset një fakt fare banal i jetës.
Ky quhet ndërrim i plotë breznish dhe vetëm atëherë bota shqiptare do të jetë e çliruar prej menengesë breznore.
E nevojshme të zërohet me fuqi altoparlanti është edhe një vërejtje qëllimmirë si kjo e mëposhtmja.
Tri partitë e reja, ose edhe shumë të tjera që do të lindin në vitet e ardhshme, nuk duhet ta kenë si yrrnek një parti me dy V-ja, si kjo që e qeverisi Kosovën për pesë vite dhe nuk po e lëshon ende prej kthetrave të veta.
Një fëmijë e ka të ardhmen me pafund mundësi nëse nuk ndjek modele a arketipa të mbrapshtë të rriturish.
Fitorja marramendëse e Vetëvendosjes më 14 shkurt 2021 pak e hiç e pati rrugën të shtruar nga strategjitë, taktizimet a mençuria.
Ajo ishte një aksident, një Çernobil katastrofik, një rrjedhje fatale në reaktorët e një demokracie me themele të brydhta siç ishte ajo në Kosovën e mjerë.
Njësoj siç e kronikon nobelistja bellaruse Svetlana Aleksieviç te Zëra nga Çernobili, gjëma e 26 prillit 1986, në reaktorin numër 4, ishte përtej aftësisë se njerëzve për të përfytyruar një të keqe – së andejmi, ata nuk kishin gjë tjetër veçse paaftësi për të procesuar llahtarin e ndodhur.
Një aksident i fundbotshëm, siç qe pësimi i madh i shqiptarëve kosovarë me ‘Vetëvendosjen’ e tyre, nuk duhet të jetë burim frymëzimi për partitë vërtet të reja.
Nëse është i çiltër gjakimi për një Shqipní përtej vizioneve me dorovitje sociale e pensionale, atëherë sa më pak duhet të ketë Martin Luthera e predikues sokëllitës.
Me ta do të sëndërtohej vetëm një Shqipní jashtëplanetare, utopike, ku nuk ka nevojë për proceduralizëm burokratik e infrastrukturë ligjore me të cilët endet krejt rrjeta limfatike e shtetit.
Kjo copa tjetër e Shqipnísë që na u zezua prej Martin Lutherit të saj toksik, me lehtësi magjike nga rruga, nga podiumi, nga mikrofoni, nga rrjetet sociale, hapte fabrika keçapi, funksionalizonte komplekse metalurgjike, krijonte një kallabllëk vendesh të punës dhe e bënte shportën më të rëndë nga artikujt ushqimorë e më të lirë nga çmimet…
Sot, Kosova e tij është asgjëmangut pos një fantazmë e pajetë siç janë sot qytetet uzina në ish-perandorinë sovjetike.
Hapja e portave për ndryshimin e gjatëpritur politik bëhet duke e gjetur antidotin ndaj dergjës së madhe demografike e societale.
Në nëntor të vitit 2020, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në raportin e saj për tranzicionin vuri re se pjesëmarrja në votime e personave mbi 55 vjeç në Shqipní ishte 90 për qind, më e larta në Evropë. Ajo linte pas vetes Greqinë, Gjeorgjinë e Kirgistanin.
‘Morali’ i raportit në fjalë ishte se mospjesëmarrja e të rinjve në votime ndikon për të keq në cilësinë e demokracisë dhe i vë gurë nën rrota ndryshimit.
E lexuar me titra me të kuptueshme, kjo është njëfarë gerontokracie – aty ku të moshuarit janë pakrahasimisht më aktivë sesa ajo rini e paktë dhe e çinteresuar.
Ky është psehu i fitores së habituales (shprehisë), psehu që opsionet nuk shkojnë përtej dy partive dhe psehu që pritshmëria e publikut votues fillon-e-mbaron me skema sociale, që janë lehtësisht të realizueshme prej cilido taraf politik.
Ka një kapicë studimesh nga shkencat politike e sociologjia që e dritësojnë faktin që njerëzit moshështyrë janë më të prirur për të marrë pjesë në votime krahasuar me moshërinjtë.
Shembuj taze gjen nga çdo anë e dynjasë, por të mjaftueshme janë prirjet votuese në tradita demokratike të mirërrënjosura.
Më 2022, në Francë, 91% e njerëzve të moshave 60-69 vjeç dolën në votime, ashtu sikurse edhe 87% e njerëzve të moshave 70-79 vjeç.
Më 2019, në Britaninë e Madhe, grupmoshat 55-64 vjeç dolën në votime 73 për qind, kurse grupmoshat mbi 65 vjeç e përpjetë 79 për qind.
Më 2020, në Shtetet e Bashkuara, grupmoshat 65-74 vjeç dolën në votime 76 për qind, kurse te ato mbi 75 vjeç pjesëmarrja ishte 72 për qind.
Në Gjermaninë e 2021-s, grupmoshat 60-69 vjeç morën pjesë 80 për qind, kurse ato mbi 70 vjeç 75 për qind.
Në të katër rastet në fjalë, pjesëmarrja e kontigjenteve moshore nga 18 deri në 40 vjeç ishte larg më e ulët sesa ajo e moshave të shtyra.
Prirje të tilla shkakëzohen nga realitetet e kontekstet tejet të veçanta të vendeve në fjalë.
Për shembull, një studim nga Ansolabehre, Hersh, dhe Shepsle për rastin amerikan i sipërfaqëson dy fakte.
Pikësëpari, amerikanët janë njerëz të lëvizshëm (mobile).
Pikësëdyti, vendosja në një vend të ri kërkon riregjistrim për të votuar, dhe kjo zor që është një nga gjërat e para që njerëzit e bëjnë sapo të jenë rehatuar.
Kjo sa i përket kontekstit amerikan, por lista e shkaqeve pse të moshuarit janë më të ndezur për të votuar kundrejt të rinjve është më e gjatë.
Një studim i hollësishëm i Achim Goerresit stivon edhe faktorë të tjerë që shpjegojnë pse popullata moshështyrë është më aktive te kutitë e votimit.
Ai rendit të paren ndjenjën e detyrës për të votuar, një normë shprehie e përfuqizuar gjatë jetës; pasuar nga fetarësia (religiosity), ku grupmoshat e reja janë gjithnjë e më të sekularizuara, kurse ato që janë më të fetarizuara e shtojnë detyrimin për t’iu përshtatur normave shoqërore; kohëzgjatja e vendqëndrimit, sa më gjatë që jeton në një vend të caktuar, je aq më i aktivizuar socialisht, duke i bashkëndjerë më fort problemet e mjedisit në fjalë; identifikimi me parti, grupmoshat e reja më pak identifikohen me parti e grupime politike; pensionet si burim kryesor i të hyrave, varësia nga pensionet mund të jetë faktor mobilizues, etj.
Në një artikull të Alexandria Symonds në New York Times, ku tëhollohet bash i njejti problem, jepen edhe anëpamje të tjera po kaq bindëse.
Formimi i shprehisë (habit formation) – votimi është një shprehi e krijuar në kohë, ndaj një arsye e mundshme pse të rinjtë votojnë më rrallë është se ata kanë më pak mundësi për të krijuar apo përforcuar një shprehi të tillë.
Pjesëmarrja alternative – pjesëmarrja e të rinjve në votime duhet përqasur edhe me pjesëmarrjen në forma të tjera të veprimit politik.
Kështu, për të rinjtë mund të jetë larg më tërheqës angazhimi në forma të tjera aktivizmi, si protestat në rrugë, lëvizjet e llojit ‘occupy’, por edhe rritja e mediave sociale si platformë e angazhimit politik.
Kjo pezhishkë shkaqesh e faktorësh mund të jenë shpjeguese edhe për realitetin shqiptar, aty ku po frenohet porcioni i ri shoqëror.
Në anën tjetër, demografia peshon rëndë me kontigjente gjithnjë e më të numërta të moshës mbi 65 vjet.
Duke i shoshitur të dhënat e regjistrimit të 2023-s, 1 në 5 persona në Shqipëri janë të moshës mbi 65 vjet e përpjetë.
Piku i grupmoshave 50-69 vjeç, nëpër grafikonë shpjegues, përputhet pikërisht me lindjet në harkun kohor 1950-1970, atëherë kur Shqipëria shpërtheu me norma të larta lindshmërie.
Paradoksalisht, brezat ‘baby boomers’, 60-80 vjeçarët, e jetojnë rininë e tyre pikërisht sot – ata janë shumicë dhe ata janë më të realizuar prej partish siç janë këto të tanishmet.